Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

Lituania e fortë për Kosovën

  • Lituania e fortë për Kosovën
24 Nëntor 2017

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të premten mbrëma ka pësuar humbje nga Lituania në ndeshjen e luajtur në prani të rreth 2500 shikuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në kuadër të Grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019". 

Takimi ka përfunduar me shifrat 99:61 (20:21, 15:14, 25:12, 39:14).

Basketbollistët tanë e filluan mirë ndeshjen dhe kështu çerekun e parë e përmbyllën në favor të tyre me shifrat 21:20. Me të njëjtin ritëm vazhduan edhe në dhjetëminutëshin e dytë, ndërsa ekipet shkuan në pushim me rezultat të barabartë 35:35.

Në çerekun e dytë Lituania arriti që dalëngadalë të shkëputet në rezultat dhe kështu e përmbylli çerekun e tretë me 13 pikë dallim, 60:47. Në dhjetëminutëshin e fundit lituanët aplikuan mbrojtje shumë të fortë duke  e ndalur Kosovën në vetëm 14 pikë, derisa vet shënuan hiq më pak se 39 sosh.

Më i dalluari te Lituania ishte Adas Juskevicius me 16 pikë e 5 asistime, kurse te Kosova më efikasi ishte Lis Shoshi me 10 pikë e 4 kërcime.

Deklaruan pas ndeshjes:

Darius Adomaitis, përzgjedhës i Lituanisë:

"Ne kemi dëgjuar shumë për fansat në Kosovë dhe kjo u vërtetua edhe sonte, se ata dinë të bëjnë atmosferë vërtetë të mirë. Megjithatë ne luajtëm më mirë, sidomos në pjesën e dytë, kur arritëm të praktikojmë mbrojtje shumë të fortë, duke e ditur edhe që Kosova nuk ka rotacion të mirë, andaj e gjithë kjo bëri që ne në fund të shënojmë fitore shumë të rëndësishme këtu në Kosovë".

Ksistof Lavrinovic, basketbollist i Lituanisë:

"Ne kemi ardhur këtu për të shënuar fitore dhe ia dolëm. Në fillim nuk e patëm aspak lehtë, sepse Kosova po luante mirë, mirëpo në pjesën e dytë ne arritëm ta luajmë lojën tonë, e cila në fund edhe na e solli fitoren". 

Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës:

"Ishte një ndeshje e vështirë, ashtu edhe siç e kemi parashikuar. Lituania është një kundërshtar shumë i fortë, këtë e kemi thënë edhe para kësaj përballjeje. Ne i patëm 20 minutat tona të mirë, por më pas Lituania na krijoi probleme dhe kjo bëri që në fund ata të fitojnë më koshdallim të madh. Sidoqoftë fakti që po luajmë në kualifikime do të thotë shumë, sidomos për Kosovën, andaj ne na mbetet të përmirësohemi në ato elemente që sonte nuk ishim në nivelin e duhur. Kemi ende ndeshje të tjera në këto kualifikime, andaj ne do të përgatitemi së pari për takimin e radhës kundër Hungarisë, dhe më pas do të shohim të shkojmë hap pas hapi".

Lis Shoshi, basketbollist i Kosovës:

"Në pjesën e parë luajtëm mirë, ishim rivalë të barabartë me Lituaninë, por në pjesën e dytë ata na i vështirësuan gjërat dhe në fund pësuam humbje. Ky është vetëm fillimi, nuk kemi vend dhe kohë për t'u dëshpëruar, andaj ne do të vazhdojmë të punojmë për t'u përmirësuar në lojën tonë". 

Duhet theksuar se Kosova të dielën me fillim nga ora 19:00 në Debrecen do të ballafaqohet me Hungarinë. Pjesë e Grupit C është edhe Polonia.