Kur kanë mbetur vetëm edhe 30 ditë deri te ndeshja e parë kualifikuese për Eurobasket 2017, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka bërë prezantimin e parë zyrtar të Kombëtares A në opinion, pra para medieve, sponsorëve, dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS).
Prezantimi i Kombëtares A të Kosovës është bërë në një konferencë për media të organizuar nga FBK të hënën në hotel “Swiss Diamond Prishtina” që është edhe një nga sponsorët e federatës, ndërsa të pranishëm ishin krahas medieve, edhe sponsorët e tjerë, si dhe ministri i sportit, Kujtim Shala.
Konferencën e hapi numri 1 i FBK-së, Erolld Belegu, derisa në lidhje me përgatitjet si ato organizative ashtu edhe ato profesionale kanë folur edhe drejtori i Kombëtares, Arben Fetahu, pastaj përzgjedhësi i Kosovës, Arben Krasniqi, si dhe basketbollistët Justin Doellman, Edmond Azemi dhe Dardan Berisha.
Erolld Belegu, kryetar i FBK-së:
“I falënderoj të gjithë të pranishmit që kanë gjetur kohë ta ndjekin këtë aktivitet të rëndësishëm të federatës. Po ashtu dua të falënderoj edhe një herë të gjithë ata që po na përkrahin në përgatitjet për kualifikimet për Eurobasket 2017, duke filluar nga mediat, sponsorët dhe nga institucionet tona. Po ashtu dua të falënderoj edhe shtabin teknik të Kombëtares, drejtorin dhe basketbollistët për mundin dhe angazhimin që e kanë treguar për t’u përgatitur sa më mirë për kualifikimet për Kampionatin Evropian.
Do të jetë një ditë e shënuar pjesëmarrja jonë në këto kualifikime. Ne e kemi bërë të qartë se nuk do të jemi vetëm pjesëmarrës, por ambiciet tona janë reale, pra do të luftojmë deri në fund. Së bashku me të gjithë ata që po na përkrahin ne do të shkojmë drejt suksesit, e suksesi ynë është të luajmë sa më mirë, e pse jo edhe të besojmë edhe më shumë. Grupi është shumë i fortë, por ne do të përgatitemi për të bërë më të mirën.
I ftoj të gjithë njerëzit kudo në Kosovë, por edhe jashtë që të na përkrahin. Ne po punojmë shumë, por në të njëjtën kohë kemi nevojë për përkrahje edhe më të madhe institucionale. Kur them kështu i referohem asaj se ne ende nuk e dimë se ku do t’i zhvillojmë ndeshjet si vendas, pasi punimet në palestër nuk e dimë a do të përfundojnë me kohë. Ditë më parë ne e kemi nënshkruar një marrëveshje me agjencinë ‘Base’ për reklama dhe marketing që është shumë fitimprurëse për FBK-në, por në rast se ndeshjet si vendas do të detyrohemi t’i luajmë jashtë Kosovës, atëherë kjo marrëveshje do të rrezikohet. Megjithatë ne po shpresojmë se gjithçka do të përfundoj me kohë dhe se adhuruesit e basketbollit kosovar do të kenë rastin të kënaqen me basketboll cilësor në ndeshjet që do t’i luajmë në Prishtinë.
Fanellat e Kombëtares do të dalin në shitje deri në fund të javës dhe kjo është një tjetër mënyrë që përkrahësit tanë të na ndihmojnë me blerjen e tyre”.
Arben Fetahu, drejtor i Kombëtares:
Kombëtarja i ka filluar përgatitjet më 7 korrik me fazën përgatitore që është zhvilluar në Prishtinë dhe që nga dita e enjte na pret një agjendë e ngjeshur jashtë vendit. Së pari do të udhëtojmë për në Estoni, më pas në Itali dhe në fund në Qipro. Nëpër të gjitha këto vende ne do të marrim pjesë nëpër turne apo ndeshje miqësore, ku do të kemi rastin që të rrisim nivelin e lojës tonë. Gjatë fazës përgatitore në Prishtinë të gjithë basketbollistët e kanë dhënë maksimumin dhe përkushtimi i tyre në çdo seancë stërvitore është mbresëlënës.
Dua të falënderoj institucionet tona, në këtë rast Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Presidencën për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në procesin e natyralizimit të lojtarëve të huaj. Po ashtu shpresoj se tani Ministria e Sportit do ta kryej punën e saj dhe do të përfundoj me kohë punimet në palestër, sepse vetëm kështu mund të përmbyllim me sukses këtë cikël të kualifikimeve në aspektin tekniko-organizativ”.
Arben Krasniqi, përzgjedhës i Kosovës:
“Që nga data 7 korrik i kemi zhvilluar gjithsej 33 seanca stërvitore. Së pari në përgatitje kanë qenë basketbollistët vendorë, ndërsa më pas na janë bashkangjitur edhe tre të huajt.
Fatkeqësisht disa lojtarë shqiptarë që jetojnë jashtë Kosovës nuk kanë mundur të na bashkëngjiten, disa për arsye objektive e disa për subjektive, por e rëndësishme është se asnjëri prej tyre nuk kanë thënë që kurrë nuk do të luajnë për Kosovën, andaj shpresojmë se në të ardhmen do të na bashkëngjiten.
Për ne është e rëndësishme ta ndërtojmë strukturën e Kombëtares dhe të gjithë kur e kemi nisur këtë projekt edhe kemi besuar në një gjë të tillë. Unë i falënderoj të gjithë për mbështetjen e parezervë, por njëkohësisht dua t’i falënderoj lojtarët për punën dhe angazhimin e madh që po e bëjnë në çdo stërvitje.
Justin Doellman i ka zhvilluar gjatë një edicioni 80 ndeshje, pastaj Dardan Berisha gjithashtu ka shumë ndeshje të luajtura gjatë një edicioni, por të dy këta lojtarë, por edhe të tjerët që janë pjesë e Kombëtares e që kanë pasur një edicion të ngarkuar kanë pranuar që me kënaqësi t’i mbrojnë ngjyrat e Kosovës, por edhe të djersiten për këtë fanellë. Unë si trajner i të gjithë këtyre lojtarëve jam shumë krenar me gjithë atë që e kanë bërë deri më tani.
Deri më tani ne i kemi pasur 18 basketbollistë në listë, ndërsa tani janë 15, jashtë listës kanë mbetur, Ergin Grosha, Fahri Breca dhe Scott Bamforth.
15 lojtarët do të vazhdojnë stërvitjet me Kombëtaren, në Estoni do të udhëtojnë 14, kurse në Qipro dhe Itali do të udhëtojnë 13, ndërsa një javë para ndeshjes së parë kualifikuese do të publikojmë 12-shen përfundimtare".
Justin Doellman, basketbollist i Kombëtares së Kosovës:
“Për mua kjo është një eksperiencë krejtësisht e re dhe unë jam shumë i lumtur që më është dhënë rasti të luaj për Kosovën dhe të ndihmoj një shtet të ri si Kosova. Po punojmë shumë që të gjithë dhe shpresoj se do të bëjmë diçka speciale”.
Edmond Azemi, basketbollist i Kombëtares së Kosovës:
“Kjo është hera e parë që Kosova po luan në kualifikime për Eurobasket 2017 dhe ne premtojmë se do të bëjmë më të mirën. Në përgatitje të gjithë po e japim maksimumin, të gjithë po sakrifikojmë dhe këtë po e bëjmë për ngjyrat e shtetit të Kosovës. Falenderoj federatën për punën e madhe që po e bënë për të na siguruar kushte sa më të mira për punë”.
Dardan Berisha, basketbollist i Kombëtares së Kosovës:
“Për mua është mburrje dhe krenari prezantimi i Kosovës në gara të nivelit të tillë si kualifikimet për Eurobasket 2017. Secili prej nesh e di përgjegjësinë e vet, andaj që nga fillimi jemi mobilizuar dhe në çdo stërvitje e kemi dhënë maksimumin. Unë edhe më parë kam pasur eksperienca të tilla, por kjo është krejtësisht ndryshe, sepse tani po bëhet fjalë për prezantimin e shtetit tim.
Grupi ynë në kualifikime është shumë i vështirë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë, por unë besoj në këtë grup që e kemi krijuar, andaj edhe premtoj se do të angazhohemi maksimalisht në parket.
I ftoj të gjithë tifozët anekënd Kosovës që të na përkrahin në kualifikime, sepse ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Bëhet fjalë për diçka historike, andaj edhe duhet të mobilizohemi ta bëjmë të tillë”.
Duhet theksuar se Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luaj kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht. Ndërkaq ndeshjen e dytë Kosova do ta luaj si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvilloj si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë.