Sonte Rahoveci do të zhvillojë ndeshjen e parë në arenën evropiane. Vreshtarët do të përballen me Cluj në kualifikimet e FIBA Europe Cup.
Atmosfera në ekipin e Rahovecit është shumë e mirë edhe pse skuadra rumune është favorite për të kaluar në xhiron tjetër.
Basketbollisti i Rahovecit, Arian Qallaku, ka folur për rëndësinë që ka takimi i sotëm. “Kjo ndeshje për ne është e veçantë, sepse është hera e parë që Rahoveci luan në garat ndërkombëtare. Cluj ka një skuadër shumë të mirë dhe është favorit, por ne nuk do të dorëzohemi dhe do të luftojmë deri në fund. I ftoj të gjithë tifozët tanë që të vijnë në numër sa më të madh që të na ndihmojnë të kemi një paraqitje të mirë”, është shprehur Qallaku për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndeshja fillon nga ora 20:30 dhe do të transmetohet ekskluzivisht në Art Motion, derisa ndeshja e kthimit zhvillohet më 9 tetor.
Biletat kanë dalur në shitje dhe kushtojnë 2 euro, derisa interesimi është i madh për këtë sfidë.