Në moshën 76 vjeçare ka ndërruar jetë Bardhyl Nushi. Nushi ka qenë një prej trajnerëve të suksesshëm në historikun e basketbollit kosovar dhe një prej punëtorëve të dalluar sportiv të kryeqytetit.
Nushi ka qenë trajner i gjeneratës së artë të KB Prishtina dhe vlerësohet si njeriu më meritor për zhvillimin e basketbollistëve vendorë në vitet e 70-ta dhe 80-ta në kryeqytetin e Kosovës.
Prishtina, e prirë nga Bardhyl Nushi ka luajtur në kualifikime për Ligën e Parë Federative të ish-Jugosllavisë në sezonin 1976/77, që vlerësohet si suksesi më i madh i basketbollit kryeqytetas.
Nushi përgjatë karrierës së tij ka punuar me emrat e njohur të basketbollit në Kosovë si Ferid Zekolli, Blerim Vuniqi, Ibrahim Karabeg, Zufer Avdija, Valdet Spahija, Albert Dula, Agim Dushi, Osman Breca, Veton Kajtazi e shumë të tjerë.
Nushi më pas për vite me radhë ka qenë trajner i Prishtinës dhe Vëllaznimit në Ligën e Parë B të ish-Jugosllavisë, kurse në karrierë ka punuar edhe si kryetrajner i Elektroekonomisë dhe ka qenë bartës i posteve të rëndësishme në organizatat e sportit dhe kulturës fizike të kohës.
Karrierën sportive Nushi e kishte filluar si boksier.
Nushi është edhe autor i librit “Basketbolli bashkëkohor”, një botim të së cilit e ka mundësuar Federata e Basketbollit e Kosovës
FBK shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve të Bardhyl Nushit për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe një prej figurave shumë të rëndësishme të basketbollit në Kosovë.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër (09.01.2015), në ora 14:00, në Varrezat e Prishtinës në Dragodan.