Skuadra e Prishtinës në konkurrencën e femrave sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet e ka zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin nga Holanda, Almonte U18.
Basketbollistet bardhekaltra kanë triumfuar ndaj holandezeve me rezultat 64:54 (18:16, 18:13, 10:11, 17:14), në një ndeshje ku nuk mungoi rivaliteti dhe basketbolli cilësor.
Qëllimi i këtij takimi ishte miqësor pasi klubi nga Holanda kishte ardhur në Kosovë për të vizituar Gjakovën dhe për të luajtur një ndeshje miqësore me ekipin e këtij qyteti, Vëllaznimin. Në këtë ndeshje basketbollistet e Almonte-s janë treguar më të mira se gjakovaret.
Basketbollistja e kampiones në fuqi, Zërina Shatri ka thënë se klubet kosovare kanë shumë nevojë për të tilla ndeshje miqësore: “Ky ishte një rast i mirë që ne t’i sprovojmë forcat me ekipe evropiane, ani pse përballë e patëm një klub me moshë të re. Sidoqoftë për ne ishte kënaqësi të luanim kundër tyre duke pas parasysh faktin se vërehej qartë se bëhet fjalë për një kundërshtar cilësor. Unë shpresoj që së bashku me Prishtinën nga edicioni i ardhshëm do të luajmë në gara evropiane”.