Më 7 dhe 8 janar 2017 në Prishtinë do të mbahet Klinika për gjyqtarët dhe vëzhguesit kosovarë, e cila do të udhëhiqet nga instruktori i FIBA-s, anglezi Mark Paton.
Në fakt kjo është Klinika e parë e këtij lloji që organizohet nga FIBA në Kosovë, ku gjyqtarët ndihmës do të mund të njoftohen me punën dhe udhëheqjen e punës së tavolinës zyrtare.
Kështu gjyqtarët ndihmës do të kenë rastin të informohen rreth programit DSS (Digital Scoresheet-Procesverbali i ndeshjes në mënyrë digjitale), si dhe do t’ju nënshtrohen testeve nga njohja e rregullave dhe punës së tavolinës zyrtare. Me këtë rast do të organizohen edhe dy ndeshje miqësore, ku instruktori Mark Paton do të vëzhgojë punën e tyre nga afër.
Klinika të shtunën do të mbahet prej orës 09:30 deri 18:00, kurse të dielën prej orës 09:00 deri 16:30 në Kolegjin ISP në “Marigona Residence” në dalje të Prishtinës.
Duhet theksuar se krahas kësaj Klinike, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me FIBA-n do të organizoj edhe dy Klinika të tjera.
E para do të mbahet më 10 janar dhe do të udhëhiqet nga instruktori i FIBA-s, maqedonasi Gjorgji Piperkov dhe e dyta do të mbahet në fund të muajit shkurt dhe do të udhëhiqet nga drejtori i departamentit të gjyqtarëve në FIBA Europe, kroati Davorin Nakiç.