Z Mobile Prishtina të dielën mbrëma ka shënuar fitore si mysafire kundër Lipjanit me rezultat 103:91 (30:28, 25:24, 20:21, 28:18).
Kjo ndeshje i ka takuar xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës.
Në fakt në tre cerekët e parë ndeshja ishte e barabartë, por më pas në cerekun e katërt Z Mobile Prishtina e tregoi forcën e saj dhe kështu në fund triumfoi me 12 pikë epërsi.
Më efikasit te Z Mobile Prishtina ishin Divine Miracl Myles me 41 pikë, 9 kërcime e 5 asistime, Mikaile Tmusic me 23 pikë, 6 kërcime e 3 asistime, Ahmet Bashir me 15 pikë e 4 kërcime dhe Valon Bunjaku me 12 pikë, 4 kërcime e 4 asistime.
Në anën tjetër te Lipjani më të dalluarit ishin Michael Mitchell me 27 pikë, 11 kërcime e 4 asistime, Musab Mala me 21 pikë, 5 kërcime e 5 asistime dhe Arian Mehmeti me 20 pikë e 12 kërcime.
Duhet theksuar se në kuadër të kësaj xhiroje, Rahoveci e ka mposhtur Bashkimin, Golden Eagle Ylli ishte skuadër më e mirë se Trepca dhe Ponte Prizreni ka triumfuar ndaj AFK Borea-s.
Pas 23 xhirove të luajtura është Z Mobile Prishtina që vazhdon të jetë skuadra e vetme pa humbje në Superligën e Kosovës dhe kështu kryeson në renditjen tabelare, e ndjekur nga Golden Eagle Ylli, Rahoveci e Ponte Prizreni.