Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak ka dërguar një telegram urimi me rastin e zgjedhjes së Arben Fetahut në postin e kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Në urimin e Novak, i cili ka qenë zyrtari më i lartë i FIBA Evropës që e ka vizituar Kosovën, ndër të tjera thuhet:
"Nëpërmjet kësaj letre dua që zyrtarisht t'ju uroj për zgjedhjen tuaj si kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës. I gëzohem vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me federatën tuaj në vitet që po vijnë, në të mirë të basketbollit në Evropë”.
Arben Fetahu është zgjedhur kryetar i ri i FBK-së në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të organizuar të enjten mbrëma në Prishtinë.
Fetahu ka fituar 22 vota, ndërsa kundër kandidati i tij Artan Rugova është votuar nga 18 delegatë.
Deri te organizimi i Kuvendit të Jashtëzakonshëm të FBK-së erdhi pas dorëheqjes nga pozita e kryetarit, të Erolld Belegut.
Belegu ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të FBK-së pasi që Agjencia Kundër Korropsion ia kishte dërguar opinionin e saj ku thuhet se “ushtrimi i funksionit kryetar të FBK-së krahas ushtrimit të funksionit-Këshilltar i Jashtëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është i ndaluar”.