Pas më shumë se një muaji, Peja u është kthyer garave në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL), duke e nisur aty ku e la, pra me fitore.
Verdhezinjtë të martën mbrëma ishin nikoqirë të skuadrës nga Shkupi i Maqedonisë, Karpos Sokoli, të cilën e mposhtën më lehtë sesa është pritur.
Ndeshja ka përfunduar me rezultat 90:64 (24:12, 26:21, 26:10, 14:21).
Nikoqirët e morën lojën nën kontroll që nga fillimi, andaj edhe superioriteti i tyre asnjëherë nuk erdhi në dyshim dhe kështu sa vinin e thellonin epërsinë, për ta përmbyllur gjithë takimin me 26 pikë avantazh.
Peja nga dy ndeshje të zhvilluara deri më tani në kuadër të Grupit B në Ligën Ballkanike ka po aq fitore të realizuara, ndërsa pas dy ditëve do të luaj si mysafire në Tiranë. Në anën tjetër Karpos Sokoli ka regjistruar 1 fitore e 5 humbje dhe tashmë pothuajse i janë shuar të gjitha shpresat për kualifikim tutje në BIBL. Karpos Sokoli në xhiron e radhës do të ballafaqohet me Trepcën.
LaMarcus Reed dhe Cameron Rundles kanë shënur secili nga 20 pikë për verdhezinjtë, derisa Rundles pati edhe 7 asistime. Po ashtu me lojë të mirë te Peja u dallua edhe Alban Veseli me 15 pikë, 7 kërcime e 5 asistime.
Te Karpos Sokoli më efikasit ishin Goran Vrbanc me 17 pikë e 6 kërcime dhe Dominik Mavra me 13 pikë e 6 asistime.