Peja ka udhëtuar për në Tivat të Malit të Zi me mision të qartë, e ai është përmbyllja e stinorit vjeshtor në të gjitha garat me vetëm një humbje, të cilën ia ka shkaktuar Bashkimi në Prizren në kuadër të xhiros së parë të Grupit B në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Që prej asaj disfate pejanët kanë përjetuar vetëm ditë të mira, derisa loja e tyre nga ndeshja në ndeshje është përmirësuar dukshëm për të arritur në një formë, e cila i ka bërë ata të pathyeshëm në Superligën e Kosovës dhe në BIBL.
Peja të mërkurën me fillim nga ora 18:00 do ta sfidojë Teodo-n në Tivat, ndeshje kjo të cilën të dy këto skuadra luftojnë për ta fituar në mënyrë që viti 2016 t’i gjej në krye të tabelës në Grupin B. Aktualisht malazezët kryesojnë në tabelë me 10 pikë, por me një ndeshje më shumë të luajtur, derisa verdhezinjtë janë në pozitën e dytë me 9 pikë të tubuara.
Alban Veseli, basketbollist i Pejës: “Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje, ku luftohet direkt për pozitën e parë. Mendoj se ne do të paraqitemi si në ndeshjet e tjera, të motivuar dhe të gatshëm për fitore dhe për pozitën e parë”, është shprehur Veseli, i cili më pas i është referuar kundërshtarit. “Rreziku më i madh te Teodo është se ka një ekip shumë të mirë. Ne nuk e kemi asnjë humbje përveç në start nga Bashkimi. Atmosfera është e mirë në skuadër, jemi pritur mirë, ndërsa sonte e kemi zhvilluar edhe seancën stërvitore në Tivat para takimit të nesërm. Jemi ekip më i kompletuar se Teodo dhe të gjithë basketbollistët jemi të gatshëm, nuk kemi mungesa. Kjo ndeshje nuk është aspak presion as për ne as për rivalin, sepse ne tashmë e kemi siguruar fazën e dytë, por synimi ynë është vendi i parë në Grupin B. Ka edhe ndeshje të tjera dhe besoj se do të vazhdojmë kështu deri në fund. Tifozëve pejan ‘Shqiponja’ iu premtojmë fitore”.
Fisnik Rugova, basketbollist i Pejës: “Jemi shumë motivuar pas ecurisë pozitive që e kemi pasur. Kemi ardhur për fitore, e cila do të na siguronte pozitën e parë. Do të jetë vështirë, por besoj se do t’ia dalim me sukses. Duhet te jemi të vëmendshëm në këtë ndeshje pasi edhe gabimet më të vogla mund të na kushtojnë. Megjithatë unë shpresoj se çdo gjë do të shkoj mirë dhe se do të kthehemi në Pejë me 2 pikë”.
83:79 ka qenë rezultati i përballjes së parë ndërmjet Pejës dhe Teodo-s të luajtur më 28 tetor në "Karagaçi". Fituesi i këtij dueli u pati përcaktuar vetëm pas 5 minutave shtesë.