Prej katër skuadrave kosovare që garojnë në edicionin e ri 2016/17 të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL) është Peja ajo që ka shënuar fitore në start të këtij edicioni.
Kampionia në fuqi e BIBL-it, Sigal Prishtina, pastaj Bashkimi dhe Trepca që të tri këto klube kanë pësuar disfata që në xhiron e parë në kuadër të grupeve të tyre, ndërsa vetëm verdhezinjtë në Grupin B regjistruan fitore duke e mposhtur në “Karagaci” ekipin maqedonas Feni Industries me rezultat 82:73.
Peja përgjatë 40 minutave ka qenë skuadra që ka dominuar në parket, derisa ka pasur raste kur mysafirët e kanë rrezikuar fitoren, por jo edhe aq seriozisht.
Mirza Ahmedbasic ishte më efikasi te Peja me 21 pikë, kurse LaMarcus Reed ka shtuar 19 pikë, 5 kërcime e 4 asistime, kurse Alban Veseli ka kontribuar me 18 pikë.
Te humbësit koshashënuesit më të mirë ishin Matija Ceshkovic me 15 pikë dhe Kiril Nikolovski me 15 pikë e 10 kërcime.