Peja ka regjistruar fitore mjaft të rëndësishme të mërkurën mbrëma në Nikshiq të Malit të Zi.
Skuadra verdhezi ka qenë mysafire e Sutjeska-s, ndaj të cilës ka triumfuar me rezultat 86:67 (20:14, 22:18, 22:24, 22:11) në kuadër të Grupit B në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Peja ka udhëhequr në rezultat prej fillimit e deri në fund, ndërsa kundërshtari asnjëherë nuk ia arriti t’ia rrezikojë fitoren dhe kështu mysafirët në fund triumfuan me 19 pikë dallim.
Me këtë rezultat të marr në Nikshiq, ekipi verdhezi tani ka bilanc prej 4 fitore e 2 humbje dhe është në pozitë shumë të mirë për të siguruar një vend për në fazën e dytë të Ligës Ballkanike.
Në anën tjetër Sutjeska ka bilanc prej 5 fitore e 3 humbje dhe tashmë e ka siguruar një vend për në fazën e dytë të kësaj gare.
Javën e ardhshme, Peja është mysafire e Feni Industries në Kavadarci të Maqedonisë, që është edhe ndeshja e fundit për vitin 2016.
Arsyeja kryesore pse verdhezinjtë triumfuan bindshëm në këtë takim ishte përqindja e mirë e gjuajtjeve për tri pikë, ku nga 24 tentime ata realizuan 12 herë, kurse Sutjeska nga 16 tentime ka realizuar vetëm 3 herë.
Koshashënuesit më të mirë te Peja ishin Alban Veseli me 19 pikë, derisa ai shtoi edhe 5 asistime, kurse Jamie Billie ka kontribuar me 14 pikë e 9 kërcime dhe Cameron Rundles ka shtuar 12 pikë.
Në anën tjetër te Sutjeska më efikasit ishin Gjoko Saliq me 20 pikë dhe Nikola Laliq me 15 pikë.