Peja të mërkurën e pret në palestrën e sportit “Karagaçi” duke filluar nga ora 19:30 ekipin e Cluj-it nga Rumania.
Në duelin e parë të luajtur javë më parë në qytetin e Cluj-it, fitore kanë realizuar rumunët me shifrat 85:76.
Verdhezinjtë në tri xhirot e para në Grupin G kanë bilanc prej 2 humbje e 1 fitore dhe ende janë në lojë për të siguruar një vend në fazën e dytë të FIBA Europe Cup.
Trajneri i Pejës, Aleksandar Todorov llogarit në ndihmën e madhe të tifozëve për ta mposhtur Cluj-in, skuadër kjo që i pati mposhtur verdhezinjtë në debutimin e tyre në FIBA Europe Cup.
“Secila ndeshje dallon prej tjetrës, andaj ajo që na ka ndodhur në ndeshjen e parë në Rumani kur humbëm në çerekun e fundit nuk do të thotë se do të përsëritet. Duhet të japim maksimumin, pasi është ndeshje e rëndësishme. Kevin Burwell sapo ka ardhur dhe nuk e di se a do të jetë i gatshëm. Por, nuk ka arsyetime dhe ne duhet të dalim në parket dhe të luftojmë për fitore. Po ashtu, pres përkrahjen e madhe të tifozëve tanë, sepse ata janë arma jonë më e fortë”.