Peja e ka shënuar edhe një tjetër fitore ndaj Bashkimit, por që kësaj radhe u desh të luhen edhe pesë minuta shtesë për t’u përcaktuar fituesi i këtij dueli. Ndeshja është zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaci” të Pejës, ku 40 minutat e kohës së rregullt kanë përfunduar me shifrat 80:80, derisa në kohën shtesë më të mirë ishin verdhezinjtë, të cilët mposhtën prizrenasit me rezultat 95:91.
Më të dalluari te nikoqirët ishin Kevin Burwell me 33 pikë dhe Alban Veseli me 19 sosh, kurse te mysafirët më efikasit ishin Rokas Uzas dhe Theron Bussey me nga 24 pikë secili.
Peja në këtë mënyrë e ka regjistruar fitoren e pestë ndaj Bashkimit, duke përfshirë këtu edhe duelet në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL), derisa portokallinjtë kanë arritur që vetëm një herë të dalin triumfues karshi verdhezinjve dhe atë që në ndeshjen debutuese në BIBL.