Me ballafaqimin ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit nga Theranda që do të zhvillohet të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet nga ora 18:00 do të nis java e XXI e Superligës së Kosovës në basketboll. Bardhekaltrit pritet të kenë punë të lehtë me therandasit dhe kështu të regjistrojnë fitoren e radhës në elitën e basketbollit kosovar.
Të shtunën në program është edhe një tjetër ndeshje, ajo në mes Pejës dhe Trepçës, e cila do të luhet në “Karagaçi” duke filluar nga 19:00. Në të kaluarën sa herë janë takuar këto dy skuadra gjithmonë ka zgjuar interesim të madh tek adhuruesit e basketbollit kosovar, por në disa vitet e fundit është zbehur ky interesim për shkak se Trepça nuk është më ajo e mëparshmja, kurse në anën tjetër Peja është dukshëm më e fortë, falë edhe buxhetit më të madh që e posedon si ekip. Së fundi këto dy klube janë ballafaquar në kuadër të gjysmëfinales së Ipko Kupës së Kosovës, ku fitore pati regjistruar Peja me rezultat 91:65.
Ndërkaq të dielën në program është përballja në mes Vllaznimit dhe Bashkimit, e cila do të zhvillohet në palestrën “Shani Nushi” me fillim nga ora 13:00. Prizrenasit pritet që nga Gjakova të kthehen me fitore, duke e marr parasysh kapacitetin e lojtarëve karshi ekipit gjakovar.