Peja e ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në Grupin D në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike. Verdhezinjtë të mërkurën ishin mysafirë të Levski 2014 në Sofje të Bullgarisë, të cilën skuadër e kanë mposhtur me shifrat 91:87 në një ndeshje shumë të fortë dhe me rivalitet të madh, fituesi i të cilës është përcaktuar vetëm në munitat e fundit të takimit.
Me këtë fitore të rëndësishme Peja tani është ngjitur në pozitën e dytë në Grupin D me bilanc prej 2 fitore e 2 humbje, derisa Levski është në vendin e katërt me 1 fitore e 3 humbje. Pejanët në javën e ardhshme janë mysafirë të Kozuv-it, një tjetër duel shumë i rëndësishëm për verdhezinjtë, derisa Levski e pret në shtëpi të vet kampionin në fuqi të Ligës Ballkanike, Sigal Prishtinën.
Nenad Delic ishte më i merituari për fitoren e Pejës me 25 pikë e 7 kërcime, kurse Kevin Burwell ka kontribuar me 19 pikë, derisa Ronald Davis dhe Drilon Hajrizi kanë shtuar secili nga 15 pikë.
Te Levski më efikasit ishin Stanislav Slaveykov me 25 pikë e 9 kërcime dhe Aleks Simeonov me 20 pikë e 12 kërcime.