Ndeshja e katërt finale e “play-off”-it të Superligës së Kosovës ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës do të zhvillohet të martën me fillim nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. Rezultati në seri në mes këtyre dy skuadrave është 2:1 në favor të pejanëve dhe në rast se ata triumfojnë nesër, atëherë do të shpallen kampionë të Kosovës për edicionin 2015/16, por në rast se humbasin, atëherë mbetet që gjithçka të përcaktohet të dielën në “Karagaçi”. Prishtina është kampione në fuqi e Kosovës.
Gerti Shima, basketbollist i Sigal Prishtinës: “Normalisht se është sfidë e vështirë si çdo finale, nuk është se kemi kohë shumë për përgatitje, dihet se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje. Do të japim maksimumin si në çdo lojë dhe jemi në fushën tonë, nuk na lejohen gabime. Forca e Prishtinës është në çdo lojë si në Pejë si në Prishtinë, këtu luajmë përpara publikut tonë dhe duhet ta shfrytëzojmë mirë këtë gjë. Ky është sporti, ka edhe befasi. Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe në qoftë se ia dalim, dihet që edhe fitorja do të vijë për Prishtinën”.
Fisnik Rugova, basketbollist i Pejës: “Presim të fitojmë në Prishtinë. Jemi edhe një hap afër titullit dhe do të japim çdo gjë nga vetja që të arrijmë ta realizojmë këtë mision. Presim ndeshje të fortë si deri më tani. Kemi luajtur lojë kolektive në të gjitha ndeshjet dhe mendoj se ky ishte çelësi i fitoreve deri me tani. Kështu duhet të vazhdojmë. Mendoj se këtë ndeshje jemi me komod se sa në takimin e dytë. Besoj se jemi më të motivuar se Prishtina, dhe në fakt na dallon edhe mbrojtja e fortë, ku do të tregojmë edhe vlerat në përgjithësi. Presioni është në anën e Prishtinës, pasi janë edhe nikoqir”.
Kampionët e deritashëm:
1999/2000 Trepça
2000/2001 Trepça
2001/2002 Prishtina
2002/2003 Prishtina
2003/2004 Dukagjini
2004/2005 Mabetex
2005/2006 Prishtina
2006/2007 Prishtina
2007/2008 Prishtina
2008/2009 Prishtina
2009/2010 Prishtina
2010/2011 Prishtina
2011/2012 Trepça
2012/13 Peja
2013/14 Prishtina
2014/15 Prishtina
2015/16 ?