Të gjitha ndeshjet e xhiros së VII-të të Superligës së Kosovës në basketboll do të zhvillohen të shtunën, ku Sigal Prishtina është nikoqire e Golden Eagle Yllit nga Theranda. Ky duel do të luhet me fillim nga ora 18:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Ndërkaq nga ora 19:30 do të zhvillohen dy takime të tjera, njëri në Gjakovë, ku Bashkimi nga Prizreni është mysafir i Vëllaznimit, si dhe Peja është nikoqire e Trepçës. Në fakt dueli në mes pejanëve dhe mitrovicasve është ndër më interesantit në këtë xhiro të elitës së basketbollit kosovar. Në të kaluarën sa herë janë takuar këto dy ekipe rivaliteti gjithnjë ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm, andaj edhe kësaj here nuk ka pse të jetë ndryshe, pavarësisht faktit se Peja në këtë edicion ka një përbërje më të fortë se Trepça. “Xehetarët” në edicionin e deritashëm kanë shfaqur lojëra të mira, duke mos u dorëzuar për asnjë çast edhe kundër klubeve të pjesës së epërme të tabelës.
Superliga e Kosovës – Xhiroja e VII-të
E shtunë
Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli 18:00
Vëllaznimi - Bashkimi 19:30
Peja – Trepça 19:30
Kerasan Prishtina - pushon