Peja ka shënuar fitore ndaj Boreas në derbin lokal që është luajtur sot në “Karagaçi” në kuadër të xhiros së X (dhjetë) në IP Superligën e Kosovës në basketboll.
Verdhezinjtë kanë triumfuar me rezultat 102:91 (21:26, 26:27, 21:19, 34:19) ndaj debutuesve në elitën e basketbollit kosovar.
Më i dalluari te Peja ishte Arian Qallakaj me 41 pikë e 9 kërcime, kurse Leonard Mekaj ka kontribuar me 19 pikë, 8 kërcime e 11 asistime dhe Arti Hajdari ka shtuar 18 pikë, 6 kërcime e 5 asistime.
Në anën tjetër te Borea më efikasit ishin Shpend Gashi me 35 pikë, 3 kërcime e 8 asistime dhe Sami Hajzeraj me 33 pikë, 7 kërcime e 3 asistime.
Ndërkohë të mërkurën mbrëma fitore ka realizuar edhe Bashkimi në Prizren në ballafaqim me Rahovecin. Takimi ka përfunduar me shifrat 112:54 (34:7, 19:9, 30:12, 29:26).
Më së shumti pikë te prizrenasit ka realizuar Samir Zekiqi, gjithsej 30 sosh, ndërsa Jamar Hanner ka kontribuar me 25 pikë, 13 kërcime e 4 asistime.
Te Rahoveci koshashënuesit më të mirë ishin Junious Prowell me 14 pikë e 6 kërcime dhe Mustafë Merovci me 13 pikë.
Në duelin e fundit të sotëm, Sigal Prishtina ishte skuadër më e mirë se Kerasan Prishtina, të cilën e mundi me rezultat 108:53 (34:21, 31:10, 22:12, 21:10).
Më efikasit te ekipi fitues ishin Dardan Berisha me 24 pikë, 5 kërcime e 7 asistime dhe Andrrew Lawrence me 21 pikë e 12 kërcime. Te Kerasan Prishtina më së shumti pikë ka realizuar Alban Latifaj me 12 pikë, derisa ai pati edhe 4 kërcime e 3 asistime.
Të enjten në Therandë është luajtur ndeshja e fundit e kësaj xhiroje, ku Golden Eagle Ylli ka triumfuar ndaj Trepçës me rezultat 98:91 (21:19, 24:28, 28:21, 25:23).
Më të dalluarit te skuadra therandase ishin Michael Harmon me 30 pikë, Artin Gashi me 28 pikë, 8 kërcime e 2 asistime dhe Teylor Bessick me 13 pikë e 9 kërcime. Te mitrovacisit më së shumti pikë realizuan Julian Hyden me 28 pikë, 14 kërcime e 6 asistime, Mark Williams me 26 pikë, 10 kërcime e 6 asistime dhe Valdrin Haxhiu me 14 pikë e 4 kërcime.
Duhet theksuar se IP Superliga e Kosovës do të vazhdoj me ndeshjet e xhiros XI pas zhvillimit të Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019", ku Kosova bën gara në Grupin C dhe më 24 nëntor do të përballet me Lituaninë në shtëpi, ndërsa me Hungarinë do të luaj si mysafire në Debrecen më 26 nëntor.
Xhiroja e XI do të luhet më 2 dhe 3 dhjetor.