Penza-Bashkimi dhe Prishtina – Trepça, janë çiftet gjysmëfinale të “play-off”-it në Ligën e Femrave në basketboll.
Pejanet janë nikoqire të prizrenaseve në ndeshjen që do të luhet të dielën nga ora 19:30 në “Karagaçi”, kurse prishtinaset i presin në shtëpi të vet mitrovicaset në duelin që do të zhvillohet po ashtu në dielën, por nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Skuadrat që shënojnë dy fitore do të renditen në finalen e madhe.
Kampione në fuqi është Prishtina, por kjo skuadër në këtë edicion ka hasur në rezistencë të madhe nga Penza, ku kjo e fundit nga 20 ndeshje në edicionin e rregullt nuk e ka pësuar asnjë disfatë, derisa në dy duelet e drejtpërdrejta me ekipin nga kryeqyteti ishte bindshëm më e fortë. Pejanet në këtë edicion janë stolisur me trofeun e Ipko Kupës së Kosovës, derisa vlerësohen favorite për ta fituar edhe titullin e kampionit.