Pas 20 xhirove të zhvilluara ka përfunduar edicioni i rregullt në Ligën e Femrave në basketboll dhe në këtë fundjavë do të startoj “play-off”-it me këto 4 katër skuadra që e kanë siguruar nga një vend në garat shtesë: Penza nga Peja, Prishtina, Trepca nga Mitrovica dhe Bashkimi nga Prizreni.
Penza është i vetmi ekip që në 20 xhiro nuk e ka regjistruar asnjë humbje dhe për këtë arsye kryeson në renditjen tabelare, duke lënë pas vetes Prishtinën, të cilën e ka mposhtur 2 herë dhe janë këto të vetmet disfata për bardhekaltrat në edicionin e rregullt në elitën e basketbollit femëror në vendin tonë.
Trepca zë vendin e tretë, ku në 20 ndeshje ka regjistruar bilanc prej 16 fitore e 4 humbje, 2 nga Penza dhe 2 nga Prishtina.
Bashkimi e ka përmbyllur edicionin e rregullt në pozitën e katërt me 14 fitore e 6 humbje, 2 prej tyre nga Penza, 2 nga Prishtina dhe 2 nga Trepca.
Pejanet në gjysmëfinale të garave shtesë do t’i presin prizrenaset, në të cilat takime vlerësohen favorite absolute dhe kështu pritet që pa ndonjë problem të plasohen në finalen e madhe.
Në anën tjetër prishtinaset janë nikoqire të mitrovicaseve, karshi të cilave vlerësohen favorite, andaj edhe pritet që pas ndeshjes së fundjavës në kryeqytet dhe asaj të mesjavës së ardhshme në palestrën “Minatori”, bardhekaltrat ta shohin veten në finale.
Nëse nuk ndodh ndonjë befasi e rastit, pritet që finalja në basketbollin femëror në Kosovë të zhvillohet në mes Penzës dhe Prishtinës, e njëjta si në Ipko Kupën e Kosovës, kur triumfuan pejanet duke e kthyer trofeun në Pejë pas një viti pauzë.
Duhet theksuar se Prishtina është kampione në fuqi dhe se së bashku me Penzën janë skuadrat më të trofeshme në basketbollin femëror në vendin tonë që nga paslufta.
Ciftet gjysmëfinale të “play-off”-it:
Penza – Bashkimi
Prishtina – Trepca
Skuadrat që shënojnë dy fitore plasohen në finale.