Kampionja e Kosovës Peja ka shënuar fitore të martën mbrëma ndaj Craiovës, derisa Sigal Prishtina ka pësuar humbje nga e njejta skuadër - në ndeshjet e ekipeve tona në arenën ndërkombëtare këtë javë.
Peja mposhti ekipin rumun me 15 pikë dallim në palestrën Karagaç, ku ndër më të dalluarit ishte amerikani me përvojë, Fred House, që njëherit siguroi edhe fitoren e parë të pejanëve në ligën ballkanike, me rezultat 80-65.
Në anën tjetër, në ndeshjen e zhvilluar sonte, Sigal Prishtina përkundër se arriti që të përmbyll pjesën e parë të ndeshjes me barazim ndaj rumunëve të Craiovës, nuk arritën t'i bëjnë ballë në pjesën e dytë duke e regjistruar kështu humbjen e parë në Prishtinë para publikut vendas, 72-83.
Sigal Prishtina gjindet në vendin e dytë të tabelës me 10 pikë nga 6 ndeshje, derisa Peja është e pozicionuar në fund të tabelës me 6 pikë nga 5 ndeshje.