Peja pati forcë t’i bëjë ballë skuadrës qipriote Petrolina AEK vetëm në tre cerëkët e parë, atëherë edhe kur ekipet ishin pothuajse rivale të barabarta në parket, pasi që në dhjetëminutëshin e fundit nikoqirët shpërthyen dhe kështu në fund ia dolën të triumfojnë ndaj verdhezinjve me rezultat 81:64 (11:17, 25:15, 13:15, 32:17). Kjo ndeshje i ka takuar xhiros së pestë të Grupit G në FIBA Europe Cup.
Në fakt qipriotët diferencën në parket e bënë në cerekun e dytë dhe të fundit, dhe kjo bëri që edhe ta përmbyllin gjithë ndeshjen me 17 pikë avantazh në favor të tyre.
Peja para takimit me AEK-un ka shpresuar për kualifikim tutje në FIBA Europe Cup, por me humbjen e së mërkurës mbrëma në Larnaca i ka zbehur dukshëm gjasat për realizimin e këtij misioni.
Më i dalluari te Petrolina AEK ishte Torey Thomas me 21 pikë, 3 kërcime e 4 asistime, kurse te Peja më efikasi ishte LaMarcus Reed me 17 pikë, 7 kërcime e 4 asistime.
Pas pesë xhirove të luajtura në Grupin G të FIBA Europe Cup kryeson Gaziantep me 9 pikë, aq sa ka edhe Cluj në pozitën e dytë, derisa AEK-u është i treti me 6 dhe Peja e katërta me pikë të njëjta.
E vetmja fitore të cilën verdhezinjtë e kanë shënuar në kuadër të këtij grupi është ajo ndaj qipriotëve në ndeshjen e luajtur në palestrën “Karagaci” para disa javësh.
Ndërkaq në xhiron e radhës, Peja është nikoqire e ekipit turk, Gazientep, ndeshje kjo që do të luhet më 22 nëntor dhe është e fundit për edicionin e rregullt të FIBA Europe Cup.