Prej 6 deri më 8 prill në palestrën e sportit të kolegjit “ISP” në lagjen “Marigona Residence” në Prishtinë do të organizohet Turneu Ndërkombëtar U-15 në kuadër të projektit të FIBA Evropës për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF).
Në këtë turne do të marrin pjesë Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Rumania me gjeneratën U-15.
Njëherësh ky është aktiviteti i fundit i këtij projekti dyvjeçar, i cili udhëhiqet nga Federata e Basketbollit të Turqisë, kurse implementohet nga federatat e shteteve të lartëpërmendura.
70 fëmijë (djem të lindur në vitin 2002), 12 trajnerë/e, 1 koordinatore nga Kosova kanë qenë pjesë e projektit të FIBA Evropës për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF). Kampe nacionale, kampe ndërkombëtare, turne ndërkombëtar, vizita të trajnerëve në klubet me renome në Turqi, ngritja e kapaciteteve të Federatave kanë qenë aktivitetet që janë organizuar gjatë këtij projekti shumë domethënës për të gjithë pjesëmarrësit e tij.
Tani është radha e përmbylljes së projektit me turneun ndërkombëtar në Prishtinë dhe me evaulimin e tij nga koordinatorët e katër federatave dhe atë të Federatës së Turqisë, e kjo do të ndodh gjatë zhvillimit të turneut.