Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) së bashku me KB Trepçën sot kanë organizuar konferencë të përbashkët për media në zyrat e FBK-së, me ç’rast i kanë shpalosur detajet e Turneut Final të Kupës së Kosovës.
Trepça është organizatore e kësaj ngjarje madhështore, pasi që ditë më parë i ka plotësuar të gjitha kushtet e parashtruara në konkursin e shpallur nga FBK-ja.
Të pranishëm në konferencë ishin u.d. Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe drejtori gjeneral i KB Trepça, Besim Braha.
Turneu Final i Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 17 dhe 19 Shkurt 2017 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Të premten në gjysmëfinalen e parë, e cila do të zhvillohet me fillim nga ora 16:30 do të përballen KB Bashkimi – KB Peja, kurse ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet duke filluar nga ora 19:30, ku do të takohen KB Trepça – KB Sigal Prishtina. Ndërkaq finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 16:30 dhe 19:30. Në finalen e femrave do të ballafaqohen KB Penza nga Peja dhe KB Penti Prishtina.
Të gjitha ndeshjet e Turneut Final të Kupës së Kosovës do të transmetohen drejtëpërdrejtë në SuperSport Kosova.
Ceremonia hapëse e kësaj ngjarje madhështore për basketbollin kosovar do të bëhet të premtën ndërmjet dy ndeshjeve gjysmëfinale.
Elvira Dushku u.d. Sekretare e Përgjithshme e FBK-së: “Federata i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ngjarje, e cila për ne është ndër më të rëndësishmet për këtë vit. Kupa e Kosovës po organizohet për herë të parë në Mitrovicë që nga viti 2010 dhe ne besojmë se Trepça do t’i kryej të gjitha obligimet që i ka në bazë të kontratës dhe do të organizoj këtë ngjarje, e cila besojmë se do të jetë madhështore. Po ashtu ne jemi të bindur se për këto dy ditë do të kemi rastin të shohim basketboll cilësor, i cili do t’i kënaq të gjithë adhuruesit e basketbollit që do të jenë të pranishëm në palestër, por edhe ata që do ta ndjekin në transmetim në SuperSport Kosova. Trepça tashmë është dëshmuar për organizime të mira të eventeve të mëdha pasi e ka ndihmuar FBK-në në organizimin e ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian në verën e kaluar në Mitrovicë. Po ashtu dua të bëjmë të ditur se më 19 shkurt po në Mitrovicë do të mbahet Kuvendi i Punës i FBK-së, ku krerët më të lartë të federatës do të raportojnë para delegatëve të Kuvendit për punën e bërë gjatë vitit 2016”.
Besim Braha, drejtor gjeneral i KB Trepça: “Klubi Trepça tashmë është dëshmuar për organizime të eventeve të mëdha dhe rasti më i mirë është ai i bashkëpunimit me FBK-në për organizimin e kualifikimeve të Përfaqësueses A të Kosovës për në Eurobasket 2017. Ne premtojmë se do të kujdesemi maksimalisht që gjithçka të shkoj ashtu siç duhet sa i përket organizimit të Turneut Final të Kupës së Kosovës. Në Turneun Final do të jenë të pranishëm të gjithë tifozët e ekipeve pjesëmarrëse, të cilëve ju bëjë edhe thirrje për qasje sa më pozitive, pasi ky do të jetë një tjetër test për ne si klub, por edhe për federatën në përgjithësi. Policia është deklaruar e gatshme për të na ndihmuar në këtë aktivitet dhe ajo do të jetë vazhdimisht në përcjellje të klubeve, tifozëve dhe zyrtarëve të tjerë të pranishëm në palestër”.
Të enjten e ardhshme KB Trepça do të organizoj konferencë për media, ku të pranishëm do të jenë përfaqësuesit e saj, të FBK-së, si dhe gjashtë kapitenët e ekipeve pjesëmarrëse. Gjithashtu këtë ditë do të akreditohen edhe mediat që do ta përcjellin këtë ngjarje.
Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin 2015/16 janë Sigal Prishtina te meshkujt dhe Penza te femrat.