Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel vizitoi Tiranën ku mori pjesë në themelimin e ligës së përbashkët të basketbollit midis Federatës Shqiptare (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), e cila shënon një hap të ri për zhvillimin e basketbollit në të dy vendet, shkruan faqja zyrtare e FIBA-s.
Marrëveshja u nënshkrua nga Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari dhe Kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu të enjten, në prani të Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, i cili zbuloi logon e Ligës Unike.
"Është kënaqësi e madhe të jem këtu në Tiranë për themelimin e ligës së re së bashku me mysafirë kaq të dalluar", tha Presidenti i FIBA Evropës, z. Demirel.
"Unë besoj se kjo iniciativë e përbashkët ka premtime të mëdha dhe jo vetëm që do të vendosë një standard të ri për basketbollin e klubeve në Shqipëri dhe Kosovë, por gjithashtu do të përfitojnë edhe ekipet kombëtare të të dy vendeve. Është gjithmonë ndjenjë e mirë të shohësh federatat tona kombëtare duke punuar krah për krah për të mirën e lojës, veçanërisht me projekte të tilla ambicioze si Liga Unike. Unë dua të përgëzoj të dy kryetarët, Z. Ponari dhe Z. Fetahu, si dhe ekipet e tyre, për punën e madhe që kanë bërë për ta sjellë këtë ide në jetë".
Liga Unike do të zhvillohet së bashku me ligat kombëtare dhe do të integrohet me to, për sa i përket kalendarëve dhe rezultateve.
Liga do të fillojë në muajin e ardhshëm dhe do të përbëhet nga tetë skuadra, katër më të mirat e Kosovës dhe katër më të mirat e Shqipërisë.
“Ky është një projekt i mbështetur nga komunitetet e basketbollit të vendeve tona dhe familja jonë ndërkombëtare, FIBA. Unë dua të falënderoj thellësisht Z. Demirel, i cili është i pranishëm në këtë ngjarje të veçantë. Qasja e tij ndaj liges dhe federatave tona është një motivim për ne", tha Z. Avni Ponari, President i Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Marrëveshja e bashkëpunimit dhe financimit të Ligës Unike u nënshkrua midis FSHB-së dhe FBK-së për një periudhë katër vjeçare me mundësinë e zgjatjes.