Basketbollistet e Prishtinës janë shpallur kampione të Kosovës për edicionin 2015/16 në Ligën e Femrave.
Skuadra bardhekaltër e ka mposhtur Penzën në “Karagaci” të Pejës të shtunën mbrëma në ndeshjen e tretë finale të play-off-it në elitën e basketbollit femëror në Kosovë.
Takimi ka përfunduar me rezultat 78:69 në të mirë të vajzave nga kryeqyteti, ndërsa rezultati i përgjithshëm në seri 2:1.
Prej fillimit të ndeshjes e deri në fund ishin mysafiret ato që kanë udhëhequr në rezultat, të udhëhequra nga Arbnore Perquku, e cila me mjaft mencuri e ka menaxhuar lojën dhe kështu së bashku me bashkëlojtaret e saj në fund ia sollën edhe një titull ekipit nga kryeqyteti.
Në këtë mënyrë Prishtina e ka mbrojtur titullin e fituar një edicion më parë, derisa kjo skuadër është më trofeshmja që nga paslufta në Kosovë, me 10 tituj kampionit të fituar dhe 8 trofe të Kupës së Kosovës. Ndryshe ky është titulli i katërt radhazi për vashat e Fidan Shatrit.
Penza në këtë edicion e ka fituar trofeun e Ipko Kupës së Kosovës, ndërsa gjatë edicionit të rregullt nuk e ka regjistruar asnjë humbje. Pejanet katër herë i kanë mposhtur prishtinaset në këtë edicion, dy herë gjatë pjesës së rregullt, një herë në finale të Ipko Kupës dhe një herë në ndeshjen e parë finale të play-off-it. Megjithatë bardhekaltrave u mjaftuan dy fitoret në finale që të stolisen me titullin e kampionit, aq shumë të dëshiruar nga kryeqytetaset.
Në fund medaljet ekipeve finaliste ua ndanë anëtaret e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Kimete Haliti dhe Learta Berisha, derisa kupën kapitenes së Prishtinës, Artina Hasanit ia ka dorëzuar numri një i FBK-së, Erolld Belegu.