Peja është mposhtur pas kohës shtesë të mërkurën mbrëma në “Karagaci” nga Sigal Prishtina me rezultat 72:74 (17:16, 10:11, 13:19, 20:14, 12:14), derisa koha e rregullt ka përfunduar me shifrat 60:60. Kjo ndeshje i ka takuar xhiros së gjashtë (fundit) të Grupit D në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Andrew Warren ishte më efikasi te kryeqytetasit me 21 pikë, kurse Mohamed Abukar ka shtuar 18 pikë e 8 kërcime dhe Willie Kemp ka kontribuar me 13 pikë e 6 asistime.
Te verdhezinjtë më të dalluarit ishin Ronald Davis me 21 pikë, Alban Veseli me 19 dhe Fisnik Rugova me 15 pikë e 12 kërcime. Peja në anën e saj pati mjaft mungesa, Nenad Delic e Teo Simovic të lënduar dhe Drilon Hajrizi, tashmë i suspenduar nga skuadra verdhezi.
Pas fitores së Kozuv-it ndaj Levski 2014 në Sofje të Bullgarisë dhe humbjes së Pejës nga Sigal Prishtina është më se e qartë se krahas bardhekaltërve që tashmë e kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të BIBL-it, edhe skuadra nga Gjevgjelia e Maqedonisë e ka zënë një vend në TOP 4 të kësaj lige.
Të martën mbrëma nga Grupi C janë kualifikuar Mornar-i nga Tivati i Malit të Zi dhe Beroe nga Stara Zagora e Bullgarisë, kurse sonte nga Grupi D i kanë vazhduar garat, kampionia në fuqi në BIBL, Sigal Prishtina dhe Kozuv-i.
Duhet theksuar se Sigal Prishtina e ka përmbyllur fazën e dytë në Ligën Ballkanike me bilanc të 100%, ku nga 6 ndeshje ka realizuar po aq fitore.