Skuadrat kosovare kthehen në aksion në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Të martën dhe të mërkurën tri ekipet kosovare, Sigal Prishtina, Peja dhe Bashkimi nga Prizreni do t’i zhvillojnë ndeshjet e dyta të fazës së dytë në BIBL.
Bashkimi të martën është mysafire e Mornar-it në Bari të Malit të Zi me fillim nga ora 18:30, kurse Prishtina është nikoqire e ekipit nga Sofja e Bullgarisë, Levski 2014. Kjo ndeshje do të luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet duke filluar nga ora 19:30. Ndërkaq të mërkurën Peja në “Karagaçi” e pret Kozuv-in nga Gjevgjelia e Maqedonisë, takim ky që do të zhvillohet nga ora 19:30.
Në ndeshjet e para të fazës së dytë të BIBL-it, fitore ka regjistruar Prishtina ndaj Kozuv-it si mysafire, derisa Bashkimi është mposhtur në shtëpi nga Teodo, kurse Peja ka pësuar disfatë para shikuesve të saj nga Levski 2014.
Antonis Constantinides, trajner i Sigal Prishtinës: “Ne duam të fitojmë në çdo ndeshje dhe këtë e kemi dëshmuar qysh nga starti i pjesës së dytë të edicionit në të gjitha garat ku po marrim pjesë. Javën e kaluar e kemi mposhtur si mysafirë Kozuv-in në një ndeshje shumë të çuditshme dhe besoj se tani si vendas do të luajmë shumë më mirë ndaj Levski-it. Kundërshtari ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, por unë mendoj se ne e kemi rosterin më të mirë dhe kjo është arsyeja që ne besojmë në fitore. Do të hyjmë në parket të motivuar pas fitores ndaj Pejës dhe do të bëjmë gjithçka që të tregojmë lojë të mirë para tifozëve tanë të flaktë. Unë po ashtu shpresoj se edhe Bashkimi dhe Peja do të shënojnë fitore dhe kështu tri skuadra kosovare do t’i kemi në gjysmëfinale. Një gjë e tillë është shumë e mirë për basketbollin kosovar dhe kjo është arsyeja pse unë uroj të ndodh një gjë e tillë”.
Granit Rugova, basketbollist i Bashkimit: “Na pret një ndeshje shumë e fortë. Mornar-i ka super ekip. Mirëpo, ne kemi ardhur të përgatitur dhe do të mundohemi në maksimum që të triumfojmë, pasi që me Teodo-n e lëshuam nga dora fitoren pikërisht në sekondat e fundit. Shpresoj që të martën të bëjmë më mirë. Besoj se me mbrojtje të fortë dhe sulme të shpejta të arrijmë synimin tonë. Jemi komplet, e dimë se është vështirë, por ne kërkojmë të dalim me rezultat të favorshëm nga kjo përballje”.
E martë:
Mornar – Bashkimi 18:30
Sigal Prishtina – Levski 2014 19:30
E mërkurë:
Peja – Kozuv 19:30