Prishtina dhe Trepça do të takohen në finalen e “play-off”-it në ETC Ligën e Femrave. Basketbollistet prishtinase në gjysmëfinale të garave shtesë ishin më të mira se rivalet e tyre nga Bashkimi i Prizrenit, kurse mitrovicaset kanë triumfuar në të dyja ndeshjet kundër Penzës nga Peja.
Në gjysmëfinalen në mes Prishtinës dhe Bashkimit, në ndeshjen e parë të luajtur në kryeqytet kanë shënuar fitore bardhekaltrat me shifrat 80:57, kurse dueli i kthimit i zhvilluar në Prizren është ndërprerë në fund të çerekut të tretë, për shkak të përleshjes së lojtareve në mes veti dhe futjes në parket të shikuesve. Në këtë mënyrë Komesari i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marr vendim që fitorja me rezultat 20:0 t’i takojë ekipit nga Prishtina, kurse në të njëjtën kohë ai ka shqiptuar dënime për të gjithë akterët e përfshirë në incident.
Ndërkaq në gjysmëfinalen tjetër, atë ndërmjet Trepçës dhe Penzës, në ndeshjen e parë rivaliteti ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe këtë më së miri e tregon rezultati përfundimtar 58:56 në të mirë të mitrovicaseve, kurse në duelin e kthimit të luajtur në Pejë, mysafiret kanë regjistruar fitore më lehtë sesa është pritur, me shifrat 49:32.
Ballafaqimi i parë i finales së “play-off”-it në mes Prishtinës dhe Trepçës do të luhet në mesjavën e ardhshme në kryeqytet, derisa ai i kthimit në fundjavë në Vushtrri. Skuadra që shënon dy fitore radhazi do të shpallet kampione e Kosovës.
Duhet theksuar se basketbollistet bardhekaltra janë kampione në fuqi, derisa janë edhe fituese të Ipko Kupës së Kosovës për edicionin 2014/15.