Sigal Prishtina e ka shënuar fitoren e tretë radhazi në Grupin D në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Kampionët në fuqi të BIBL-it të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në prani të rreth 2000 shikuesve e kanë mposhtur Pejën me rezultat 85:84 në derbin kosovar të xhiros së tretë të Ligës Ballkanike.Nikoqirët kanë udhëhequr në disa raste me epërsi dyshifrore, por të cilën nuk arrin ta mbanin dhe kështu u desh që gjithçka të zgjidhet në fund të takimit. Në anën tjetër edhe Peja e pati shansin për të fituar, por ka dështuar për të shënuar në sekondën e fundit dhe kështu fitorja mbeti në kryeqytet. Pas këtij triumfi Prishtina është e para në grup me bilanc prej 3 fitore e asnjë humbje, kurse Peja, Levski 2014 dhe Kozuv, të tri këto skuadra kanë bilanc prej 1 fitore e 2 humbje. Javën e ardhshme verdhezinjtë janë mysafirë të Levski-t në Sofje të Bullgarisë, kurse prishtinasit e presin Kozuv-in nga Gjevgjelia e Maqedonisë.
Takimi filloi furishëm për të dyja skuadrat, por më pas ishte Prishtina ajo që me një seri prej 10:0 e rriti epërsinë në 7 pikë, derisa dhjetëminutëshi i parë ka përfunduar me shifrat 27:18 në të mirë të vendasve. Në çerekun e dytë u zhvillua një lojë më e baraspeshuar, por që për një nuancë më të mirë ishin mysafirët të cilët e fituan këtë pjesë të lojës me rezultat 20:14 dhe kështu ekipet shkuan në pushim me shifrat 41:38 për bardhekaltrit. Me t’u kthyer në parket prishtinasit e morën lojën nën kontroll, kurse në anën tjetër pejanët nuk ishin ata të çerekut të dytë dhe kështu ky çerek përfundoi në dobi të kryeqytetasve me 24:19. Ashtu edhe siç pritej në dhjetë minutat e fundit u zhvillua një luftë e vërtetë me ulje e ngritje në anën e të dyja skuadrave, ku Prishtina sado arrinte të krijonte epërsi prej 8 apo 9 pikëve, Peja e zvogëlonte për ta bërë fundin shumë dramatik, ku pranë rezultat 85:84 verdhezinjtë e patën shansin për të shënuar pikët e fitores por dështuan nën kosh dhe kështu fitorja u takoi bardhekaltërve.
Mohamed Abukar ishte më i dalluari te Prishtina me 22 pikë, 6 kërcime e 6 asistime, kurse Dardan Berisha e ka përmbyllur duelin me 21 pikë e 11 kërcime dhe Jason Washburn ka kontribuar me 14 pikë.
Te Peja më efikasit ishin Alban Veseli me 22 pikë e 7 kërcime, Nenad Deliq me 21 pikë e 7 kërcime dhe Drilon Hajrizi me 20 pikë, 8 kërcime e 4 asistime.
Antonis Constantinides, trajner i Sigal Prishtinës: “E vetmja gjë e mirë nga ky ballafaqim është fitorja. Fituam me vetëm një pikë dallim, por e rëndësishme është se fituam. Megjithatë unë jam shumë i dëshpëruar me basketbollin e treguar në këtë përballje nga të dyja palët, por meqë unë jam trajner i Prishtinës do të marr të drejtën të flas vetëm për klubin tim. Pati shumë ulje dhe ngritje te ekipi im, nuk luajtëm mençur në sulm, gjuajtëm shumë në drejtim të koshit dhe nuk e shfrytëzuam lojën në trapez. Basketbolli nuk është vetëm gjuajtje, gjuajtje, gjuajtje. Ne nuk guxojmë ta përsërisim këtë lojë, sepse kjo nuk është loja jonë. Unë do të flas me lojtarët e mi dhe do t’u them se nuk jam i kënaqur dhe më pas bashkërisht do të punojmë në përmirësimin e gabimeve tona. Pejën e përgëzoj për paraqitjen, uroj që kjo skuadër të gjejë mënyrën të radhitet në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike. Ne synojmë t’i mbrojmë titujt si në Kosovë ashtu edhe në BIBL, por me këtë lojë që e bëmë ndaj Pejës nuk mund ta realizojmë këtë ambicie. Na mbetet të punojmë edhe më shumë, jemi në mes të rrugës dhe tani vetëm duhet të vazhdojmë të luajmë çdo herë e më mirë, e jo ta bëjmë atë që e bëmë ndaj Pejës”.
Edmond Azemi, kapiten i Sigal Prishtinës: “Ne lejuam që Peja të na shënoj 84 pikë dhe kjo tregon më së miri se ne nuk e luajtëm lojën tonë. Unë besoj se pas kësaj ndeshje dhe pas analizës që do ta bëjmë të gjithë do të reflektojmë dhe nuk do të lejojmë që të na përsëritet kjo performancë aspak e mirë”.
Sigal Prishtina-Peja 85:84 (27:18, 14:20, 24:19, 20:27)
Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Shikues: 2000.
Gjyqtarë: A. Zurapoviq, A. Milojeviq, O. Jokiq.
Sigal Prishtina: Washburn 14, Kemp 11, Berisha 21, Marinov 5, Abukar 22, Azemi, Peci, Jakupi, Warren 12, Mazreku, Sinani.
Peja: Veseli 22, Deliç 21, Hajrizi 20, Davis 11, Burwell 5, Covington 5, West, Mekaj, Grapci, Hajdari, B. Zekiqi, S. Zekiqi.
Grupi D
Sigal Prishtina-Peja 85:84
Kozuv-Levski 99:72
Tabela
1. Sigal Prishtina 3 6
2. Kozuv 3 4
3. Levski 3 4
4. Peja 3 4