Fakti se po takohen rivalët e përbetuar, Trepça - Sigal Prishtina nuk përbën ndonjë lajm të madh, për shkak se në këtë edicion dallimi në cilësi ndërmjet skuadrave është i dukshëm. Megjithatë kjo ndeshje është për t’u veçuar për arsye se ky rivalitet më në fund pas afro katër vitesh po kthehet në palestrën “Minatori”.
Më 3 qershor 2012 ka qenë data kur Trepça e ka zhvilluar ndeshjen e saj të fundit në palestrën e saj dhe atë ndaj Prishtinës në finalet e “play-off”-it, kurse më 12 mars 2016 është data kur skuadra mitrovicase do të rikthehet në palestrën tashmë të rinovuar dhe sërish do të luaj ndaj Prishtinës, por tani në kuadër të xhiros së XXIII në Superligën e Kosovës.
Trepça është e katërta në tabelë me 29 pikë, dy më pak se Prishtina që zë vendin e dytë dhe ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Ballafaqimi ndërmjet mitrovicasve dhe bardhekaltërve do të zhvillohet me fillim nga ora 19:00.
Drejtori i përgjithshëm i Trepçës, Besim Braha ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se palestra “Minatori” është e gatshme për ndeshjen e së shtunës:
“Ne si klub i kemi kryer të gjitha përgatitjet në aspektin organizativ duke marr parasysh faktin se jemi munduar të bëjmë diçka me të veçantë meqenëse po kthehemi në palestër pas afro katër vitesh. Ne besojmë se në këtë ndeshje nuk do të jetë i rëndësishëm rezultati, por rëndësi e veçantë do t’i kushtohet organizimit dhe spektaklit që e kemi përgatitur për inaugurimin e palestrës. Besoj se gjithçka do të shkoj në mënyrën e duhur dhe se të gjithë do të jemi dëshmitarë të një basketbolli cilësor, por edhe të një organizimi të nivelit të lartë”.
Basketbollisti i Trepçës, Arian Tahiri është shprehur i lumtur që më në fund sportistët do të kthehen në palestër, e veçanërisht basketbollistët, të cilët edhe kanë qenë krenaria e qytetit:
“Me padurim po e presim momentin ta shohim palestrën të stërmbushur. Nuk janë vetëm ‘Torcidat’ ata që do të jenë në palestër, por pritet të vijnë një numër i madh i adhuruesve të sportit duke marr parasysh faktin se kemi pritur shumë. Unë besoj se do të jetë festë basketbolli në qytetin e Mitrovicës, e kur t’ia shtojmë kësaj edhe faktin se do të luajmë ndaj rivalëve të moçëm, Prishtinës, atëherë besoj se gjithçka do të jetë më interesante dhe atmosfera do të jetë e zjarrtë”.
Trepça në vitin 2012 u pati stolisur me titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, por më pas filluan renovimet në “Minatori” dhe munguan sukseset. Rinovimi i palestrës ka qenë donacion i Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Superliga e Kosovës - Xhiroja e XXIII
E shtunë
Trepça – Sigal Prishtina 19:00
Peja – Bashkimi 19:30
E diel
Vëllaznimi – Kerasan Prishtina 19:30