Rahoveci ka shënuar fitore në udhëtim në palestrën “Sezai Surroi” Prizren kundër Bashkimit të shtunën mbrëma me rezultat 80:76 (21:20, 21:18, 28:15, 10:23) në ndeshjen që i ka takuar xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Në fakt dy cerekët e parë ishin të barabartë, ndërsa në të tretin Rahoveci dominoi tërësisht, kurse në cerekun e fundit Bashkimi u rikthye, por kjo nuk mjaftoi për ta fituar ndeshjen, e cila u takoi mysafirëve me katër pikë epërsi.
Më të merituarit për triumfin e Rahovecit ishin Fredrik Boayd Richardson me 30 pikë, 10 kërcime e 7 asistime, Arian Qollaku me 13 pikë, Jams Stanback me 12 pikë e 5 kërcime dhe Deshon Jeffery Minnis me 11 pikë, 12 kërcime e 10 asistime.
Në anën tjetër te Bashkimi më efikasit ishin Capss Jordan Marshall me 30 pikë, 5 kërcime e 3 asistime, Drilon Hajrizi me 14 pikë e 7 kërcime dhe Steven Haney Jr me 10 pikë e 3 kërcime.
Duhet theksuar se të premten është luajtur një ndeshje e xhiros së 23-të ajo në mes AFK Borea-s dhe Ponte Prizrenit, ku kjo e fundit ka shënuar fitore bindëse me shifrat 116:47.
Ndërkaq të dielën në program janë dy ndeshje në kuadër të kësaj xhiroje, ku Golden Eagle Ylli e pret Trepcën, një tjetër ndeshje kjo interesante, si dhe me fillim nga ora 19:00, Lipjani është nikoqir i Z Mobile Prishtinës.