Riinvest Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës në grupmoshën U-16 në ndeshjen finale të luajtur të dielën në palestrën "Shani Nushi" në Gjakovë.
Prishtinasit në finale e kanë mposhtur ekipin e Kalajës nga Prizreni me rezultat 72:64 (13:20, 04:15, 34:14, 21:15).
Në dy cerekët e parë ishin prizrenasit ata që dominuan në parket, derisa në cerekun e tretë Riinvest Prishtina tregoi një fytyrë krejt tjetër prej asaj të pjesës së parë dhe kështu dalëngadalë së pari e ngushtoi epërsinë, më pas edhe e mori lojën nën kontroll për të triumfuar në fund me 8 pikë dallim në një ndeshje mjaft interesante dhe me përmbysje të rezultatit nga ana e kryeqytetasve.
Në fund kupën kapitenit të skuadrës fituese, Art Imerit ia dorëzoi Komesari i Garave të FBK-së, Faton Kurshumlija, derisa medaljet për ekipet finaliste i ndanë, Burim Koshi, anëtar i Bordit të FBK-së dhe Tone Krump, kryetar i Këshillit Profesional të FBK-së.
Ndërkaq MVP i Final Four-it për grupmoshën U-16 është shpallur basketbollisti i Riinvest Prishtina, Nderim Ratkoceri. Trofeun e MVP-së Ratkocerit ia dorëzoi Burim Koshi, anëtar i Bordit të FBK-së.
Në gjysmëfinale Riinvest Prishtina ishte skuadër më e mirë se M Junior Prishtina, kurse Kalaja ka triumfuar kundër United Basketball nga Gjilani.