Një ndër bartësit e lojës së Bashkimit, Granit Rugova ka thënë se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për t’ju kthyer fitoreve në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike. Prizrenasit sot janë mysafirë të Levski 2014 në kuadër të xhiros së tretë të Grupit B të BIBL. Kjo ndeshje do të zhvillohet me fillim nga ora 17:00 në Sofje të Bullgarisë.
9-shja e portokallinjve ka deklaruar se pavarësisht problemeve me lëndime me të cilat po ballafaqohet ekipi i tij, ata kanë udhëtuar për të bërë më të mirën në parket në mënyrë që nga kryeqyteti bullgar të kthehen me fitore: “Jemi përgatitur dhe jemi të gatshëm për Levski-n. Kemi telashe me lëndime, ku gjasat që unë të luaj janë shumë të vogla, megjithatë ne do ta japim maksimumin që të kthehemi me fitore nga Bullgaria. Nuk do të jetë lehtë, pasi edhe Levski e dëshiron fitoren njëjtë si ne, por unë kam besim në bashkëlojtarët e mi, andaj edhe shpresoj se në fund do të arrijmë të nxjerrim rezultat pozitiv”.
Duhet theksuar se Bashkimi ka bilanc prej 1 fitore e 1 humbje në BIBL, ku si vendas ka triumfuar kundër Pejës, derisa ka pësuar disfatë si mysafirë ndaj Teodo-s në Tivat të Malit të Zi. Në anën tjetër bullgarët e Levski-t në BIBL e kanë luajtur vetëm një ndeshje, ku kanë shënuar fitore në ballafaqim me malazezët e Lovcen Basket.