Sezoni 2014/15 në basketbollin e Kosovës edhe këtë vit zyrtarisht do të fillojë me ndeshjen e Salamander Superkupës së Kosovës.
Këtë vit për trofeun e Superkupës do të duelojnë Sigal Prishtina dhe Bashkimi, kurse me vendim të bordit të FBK-së, ndeshja do të zhvillohet më 21 shtator në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Sigal Prishtina është kampion i Kosovës dhe fitues i IPKO Kupës së Kosovës në sezonin 2013/14 dhe siç është praktikë e zakonshme në këso raste, për trofeun e Superkupës do të përballet me finalistin e Kupës, në këtë rast Bashkimin.
Edhe pse Sigal Prishtina do të jetë teknikisht vendës në këtë ndeshje, me pajtimin e kryesisë së Sigal Prishtinës, bordi i FBK-së ka vendosur që ndeshja të zhvillohet në Prizren, duke i mundësuar Bashkimit që para publikut të vet dhe me një derbi të fillojë sezonin.
Sigal Prishtina është fitues aktual i trofeut të Salamander Superkupës. Vitin e klauar në Palestrën 1 Tetori ky ekip kishte mposhtur Pejën me rezultat 74:64.