Trajneri i Sigal Prishtinës, kroati Jeronimo Sarin para përballjes së fundit në kuadër të Grupit H në FIBA Europe Cup kundër Enisey-t nga Rusia ka thënë se ekipi i tij do të hyj për fitore në këtë ndeshje, por edhe se me mendje është tek derbi kundër Pejës që do të zhvillohet në fundjavë për xhiron e nëntë të Superligës së Kosovës.
“Ne do të hyjmë në ndeshje kundër Enisey-t për fitore, sikurse në çdo ndeshje tjetër. Megjithatë më e rëndësishme se fitorja ndaj Enisey-t, është që të përgatitemi sa më mirë për derbin kundër Pejës që e kemi të shtunën dhe pastaj për ndeshjet e Ligës Ballkanike që do t’i luajmë në javën tjetër”, ka theksuar Sarin.
Sigal Prishtina të mërkurën me fillim nga ora 18:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet e pret skuadrën ruse Enisey në kuadër të xhiros së gjashtë (fundit) të Grupit H në FIBA Europe Cup.
Bardhekaltrit në pesë xhirot e para të edicionit të rregullt kanë regjistruar po aq humbje dhe kështu nuk kanë më asnjë gjasë për kualifikim tutje në FIBA Europe Cup.
Sidoqoftë Sigal Prishtina pret që me ndihmën e tifozëve të kryeqytetit të ketë paraqitje sa më të mirë në këtë ndeshje, në mënyrë që ta përmbyll këtë edicion të FIBA Europe Cup ashtu siç i ka hije.
Në ballafaqimin e parë të luajtur ndërmjet këtyre dy ekipeve në Enisey të Rusisë fitore patën regjistruar vetëm pas vazhdimeve nikoqirët me shifrat 102:101.