Dy trajnerë kosovarë, Ilir Selmani dhe Ismet Ferati janë pranuar në programin e FECC-së (FIBA Europe Coaching Certificate) që do të zgjas dy vjet (2017-2019) dhe më pas të njëjtit do të kenë mundësi edhe të certifikohen.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur sot nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Michael Schwarz, shef i Departamentit të Trajnerëvë në FIBA Europe.
Trajnerët tanë që do ta vijojnë programin e FECC-së, 2017-2019 do të kenë mundësi të ndjekin ligjëratat gjatë zhvillimit të Kampionateve Evropiane të U-16, U-18 dhe U-20, por njëkohësisht do të kenë edhe detyra të tjera që do t’i kryejnë gjatë punës nëpër klubet e tyre.
Duhet theksuar se në programin e FECC-së të periudhës, 2015-2017, Kosova ka qenë i vetmi shtet që i ka pasur tre trajnerë e ata janë Dritëro Sefaja, Edon Godeni dhe Petrit Zeqiri, të cilët në muajin gusht 2017 pritet të certifikohen në këtë program të FIBA Europe.