Në organizim të Shoqatës së Trajnerëve dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe në mbështetje të FIBA Evropës është mbajtur seminari dy ditor për trajnerë në Kolegjin Universi në Bardhosh.
Ligjërues në këtë seminar nga FIBA Evropa ishte prof.dr. Nenad Truniç, ndërsa në këtë seminar ka ligjëruar edhe trajneri amerikan, Chris Dial, i cili është koordinatori FBK-së për gjenerata të reja.
Në ditën e parë të seminarit (e shtunë) ka ligjëruar Chris Dial, ku në pjesën e ligjëratës praktike ka folur për “Ushtrimet themelore për lojtarët e grupmoshave të reja”, kurse në teori është përqendruar në “Sulmin tranzicional”.
Ndërkaq në ditën e dytë të seminarit (e diel) ka ligjëruar pro.dr. Nenad Truniç, i cili në pjesën teorike ka folur për “Principet bazike të planifikimit dhe periodizimit të stërvitjeve në periudhën përgatitore të një skuadre”, ndërsa në praktikë është fokusuar në temën “Ushtrime situacionale për zhvillimin e shpejtësisë së të menduarit taktik të basketbollistit”.
ArbenKrasniqi, kryetar i Shoqatës së Trajnerëve e ka vlerësuar si mjaft të frytshëm seminarin dy ditor: “Mendoj se për dy ditë radhazi patëm rastin të dëgjojmë tema mjaft interesante për trajnerë të basketbollit. Për ne trajnerët është me të vërtetë një nder i madh të dëgjojmë ligjërata nga një emër i madh si Nenad Truniç, i cili është ndër instruktorët më të kërkuar të FIBA Evropës. Shpresoj se trajnerët tanë do t’i shfrytëzojnë njohuritë që i kanë marr për këto dy ditë me radhë në këtë seminar”.
Përveç ligjëratës prof.dr. Nenad Truniç i ka këshilluar trajnerët kosovarë që të punojnë sa më shumë dhe me përkushtim maksimal, nëse me të vërtetë e duan këtë profesion që e kanë zgjedhur. “Për mua është kënaqësi që FIBA Evropa më ka dërguar për të ligjëruar në Kosovë. Unë e e shfrytëzoj rastin t’ju përgëzoj për anëtarësimin në FIBA dhe njëkohësisht ju dëshiroj juve suksese si trajner, por edhe Federatës në punën e saj pas ndërkombëtarizimit”.
Duhet theksuar se të pranishëm në seminar kanë qenë rreth 60 trajnerë të të gjitha kategorive dhe të dyja konkurrencave.
Pjesëmarrja e trajnerëve ka qenë e obligueshme për marrjen e licencave për edicionin garues 2015/2016.