Rahoveci-ClujNapoca është sfida e parë për Vreshtarët në garat evropiane. Një natë historike, ku atmosfera pritet të jetë e jashtëzakonshme, ashtu siç dinë rahovecasit të krijojnë.
Të mërkurën nga ora 20:30 zhvillohet ndeshja e parë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, deri më 9 tetor zhvillohet ndeshja e kthimit në Rumani.
Skuadra rumune shihet si favorite, megjithatë, Vreshtarët duan të tregojnë një lojë të mirë dhe të jetë një imazh i mirë për basketbollin e Kosovës.
Trajneri i Rahovecit, NevenPlantak, ka folur për përballjen ndaj rumunëve. “Besoj se skuadra rumune është favorite, sepse ka një buxhet shumë më të madh se ne dhe dallimi është i madh. Për klubin tonë është e rëndësishme që të paraqitemi në garat evropiane dhe të jetë një imazh i mirë edhe për basketbollin e Kosovës. Sa i përket ndeshjes, duam të bëjmë një paraqitje të mirë, megjithatë, Cluj është favorit dhe nuk ka dyshim. Për klubin dhe tifozët është e rëndësishme të kemi paraqitje sa më të mirë. Rahoveci edicionin e kaluar ishte në finale të “Play-off”-it dhe Kupës, kurse këtë edicion po marrim pjesë edhe në gara evropiane. Kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe shpresoj në paraqitje të mirë, edhe pse e theksoj se, Cluj është favorit absolut dhe ka buxhet shumë më të madh se ne”, deklaroi trajneri kroat për faqen zyrtare të FBK-së.
Klubi ka njoftuar se çmimi i biletës është 2 euro. Ndeshja transmetohet ekskluzivisht në Art Motion.