Sigal Prishtina dhe Peja të mërkurën me fillim nga ora 20:30 do t’i zhvillojnë ndeshjet e dyta në kuadër të Grupeve të tyre në FIBA Europe Cup. Nga të dyja taboret kanë deklaruar se janë të vetëdijshëm se përballë do të kenë kundërshtarë shumë të vështirë, por edhe se shpresojnë në ndihmën e madhe të tifozëve të tyre në mënyrë që në fund të dalin fituese nga ballafaqimet e tyre.
Prishtina në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet e pret ekipin e Rilski Sportist nga Samokovi i Bullgarisë, ndeshje kjo që i takon Grupit H të FIBA Europe Cup, në të cilin bëjnë gara edhe Demir Insaat nga Turqia dhe Enisey nga Rusia.
Në anën tjetër Peja në “Karagaçi” është nikoqire e skuadrës AEK Larnaca nga Qipro. Ky duel i takon Grupit G të FIBA Europe Cup në të cilin bëjnë gara edhe Cluj nga Rumania dhe Gaziantep nga Turqia.
Në ndeshjen e parë të edicionit të ri 2016/17 të FIBA Europe Cup, Sigal Prishtina u pati deklasuar në Stamboll nga Demir Insaat me rezultat 100:58. Menjëherë pas kësaj disfate te bardhekaltrit erdhën ndryshimet së pari në shtabin teknik dhe më pas edhe në përbërjen e lojtarëve. Petar Mijoviq ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit, kurse Marcel Jones dhe Luis Daby Jr janë prurjet e reja te klubi nga kryeqyteti.
Në vend të trajnerit Mijoviq ka ardhur kroati Jeronimo Sharin, i cili për duelin me Rilski Sportist ka deklaruar:
"Jam trajner i ri te Prishtina dhe po ashtu kemi dy lojtarë të rinj që duhet të adaptohen në ekip. Kemi katër stërvitje së bashku dh do të shohim reagimin e ekipit ndaj Rilski Sportist që është një ekip i fortë. Na pret një ndeshje e vështirë dhe kjo përballje vjen shumë herët, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Na mbetet të japim gjithçka nga vetja dhe mos të dorëzohemi deri në fund. Pavarësisht rezultatit, ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë ndeshje pas ndeshje. Nuk kemi hequr dorë nga synimet që i kemi dhe shpresoj të gëzojmë publikun ndaj Rilski-t".
Ndërkohë Peja është mbajtur mirë në ndeshjen e parë debutuese në FIBA Europe Cup, pasi verdhezinjtë në Rumani janë mposhtur nga Cluj-i në kuadër të Grupit G të kësaj gare me rezultat 85:76.
Tani në kuadër të xhiros së dytë ata janë nikoqirë të AEK Larnaca-s nga Qipro, kundërshtar ky i vështirë dhe me përvojë sipas trajnerit të Pejës, Aleksandar Todorov:
“Nëse e përsërisim lojën që e kemi treguar në Cluj dhe kemi ndihëm e publikut vendas, mund të befasojmë AEK-un që është një ekip me përvojë ku ka dy lojtarë të NBA-s. Duhet të luajmë mirë dhe të kemi përkrahje për të befasuar”.