Sigal Prishtina të mërkurën do ta luaj ndeshjen e xhiros së tretë në Grupin H në FIBA Europe Cup.
Skuadra bardhekaltër është mysafire e ekipit rus Enisey, në ndeshjen që do të zhvillohet në qytetin me të njëjtin emër me fillim nga ora 13:10.
Klubi rus në dy ndeshjet e para në kuadër të grupit në FIBA Europe Cup ka shënuar fitore, duke e mposhtur ekipin turk Demir Insaat dhe atë bullgar, Rilski Sportist.
Në anën tjetër Sigal Prishtina në dy takimet e para ka regjistruar humbje në përballje me Demir Insaat dhe Rilski Sportist.
Jeronimo Sarin, trajner i Sigal Prishtinës:
"Do të shohim në ndeshje se sa do të jetë ekipi i gatshëm, duke pasur parasysh se e kemi pasur një udhëtim jashtëzakonisht të gjatë dhe të vështirë. Udhëtimi ynë deri në Krasnoyarsk me pushime ka zgjatur 22 orë. Luajmë kundër një ekipi që ka mposhtur Demiri-n me dhjetë pikë epërsi, ku ky i fundit ka triumfuar ndaj Prishtinës me diferencë të madhe të pikëve. Po ashtu, në dy xhirot e fundit në Rusi, Enisey ka shënuar fitore, kështu që na pret një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë. Është me rëndësi të kemi një paraqitje të mirë dhe të aplikojmë lojë të mirë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje".