Sigal Prishtina është shpallur kampione e Kosovës për edicionin 2016/17.
Bardhekaltrit kanë arritur ta mbrojnë titullin e kampionit duke e mposhtur në serinë finale të play-off-it të Superligës së Kosovës skuadrën e Bashkimit nga Prizreni pas serisë 3:1.
Të mërkurën mbrëma Sigal Prishtina triumfoi në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren në prani të rreth 2000 shikuesve kundër Bashkimit me rezultat 73:64 (17:13, 16:20, 14:11, 26:20).
Më të merituarit për fitoren e ekipit nga kryeqyteti ishin Willie Kemp me 19 pikë, Mike Moser me 17 pikë e 7 kërcime dhe Jabarie Hinds me 16 pikë, 4 kërcime e 5 asistime.
Në anën tjetër te portokallinjtë më efikasit ishin Justin Black me 14 pikë, Kayel Locke me 13 pikë e 10 kërcime dhe Garrius Adams me 11 pikë.
Medaljet për skuadrat finaliste i ndanë anëtari i Bordit i FBK-së, Valdet Spahija dhe sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi.
Ndërkaq kupën kapitenit të bardhekaltërve, Edmond Azemit ia dorëzoi numri një i FBK-së, Erolld Belegu.
Në gjysmëfinale të play-off-it, Sigal Prishtina e mposhti me seri 3:0 Trepçën, derisa Bashkimi e bëri të njëjtën gjë në përballje me Pejën.
Ndërkohë në serinë finale, Bashkimi startoi me fitore në kryeqytet, por më pas u kundërpërgjigj Sigal Prishtina me tri fitore rresht, që ia sollën edhe titullin e kampionit.
Për Sigal Prishtinën ky është titulli i 12-të i kampionit që nga paslufta, kurse i katërti radhazi, ndërsa për Bashkimin kjo ishte finalja e dytë, derisa prizrenasit asnjëherë nuk janë stolisur me titull që nga paslufta.
Duhet theksuar se bardhekaltrit në këtë edicion e kanë fituar edhe trofeun e Kupës së Kosovës duke e mundur në finale Pejën.