Sigal Prishtina është nisur me mision të qartë për në Tivar të Malit të Zi, e ai është kthimi me trofe të Ligës Ballkanike (BIBL) dhe pastaj kremtimi në kryeqytet me tifozët e flaktë “Plisat” dhe me të gjithë adhuruesit e basketbollit kosovar. Mirëpo për ta realizuar këtë synim bardhekaltrit duhet të mos humbasin me më shumë se 14 pikë epërsi, por në taborrin e Prishtinës nuk dëshirojnë të dëgjojnë për fjalën “humbje”, sepse sipas tyre ata duan që titullin në BIBL ta mbrojnë me fitore.
Prishtina të mërkurën me fillim nga ora 20:00 është mysafire e Mornar-it në Tivar në ndeshjen e dytë finale të BIBL-it, derisa të parën e ka fituar një javë më parë me rezultat 82:68.
Megjithatë për Mornar-in ende asgjë nuk ka përfunduar pasi malazezët e Tivarit tani e kanë një shans për ta shkrirë disavantazhin në ndeshjen e nesërme në shtëpi. Mornar-it i ka ndodhur e njëjta gjë në ndeshjen dytë gjysmëfinale të BIBL-it kundër Kozuv-it, kur pati humbur në të parën me 15 pikë epërsi dhe më pas para tifozëve të saj ka arritur ta eliminoj këtë avantazh dhe kështu ka arritur në finalen e madhe. Për këtë arsye edhe mund të thuhet se beteja është ende e hapur dhe se gjithçka pritet të vendoset në ndeshjen e dytë.
Antonis Constantinides, trajner i Sigal Prishtinës: “Ne jemi të vetëdijshëm se me fitoren në ndeshjen e parë nuk ka përfunduar asgjë, sepse ajo ishte vetëm pjesa e parë, e tani na pret e dyta në Tivar, ku ne do të hyjmë në parket me synimin për të fituar dhe për ta sjell trofeun në Prishtinë. Jam optimist se do ta kurorëzojmë këtë edicion në Ligën Ballkanike me sukses. E them këtë, sepse kam besim në lojtarët e mi dhe në ekipin tim në përgjithësi”.
Dardan Berisha, basketbollist i Sigal Prishtinës: “Tani gjithçka fillon nga zero, pjesën e parë të finales e kemi fituar dhe e dyta luhet të mërkurën në Tivar. Sigurisht se nuk do të jetë lehtë, sepse Mornar-i është një skuadër që nuk dorëzohet. Na kanë mposhtur një herë, ndërsa ne i kemi mundur dy herë, do të thotë se duhet të tregohemi të kujdesshëm. Megjithatë unë jam shumë optimist se nëse luajmë fortë në mbrojtje dhe në sulm ashtu siç dimë ne, do t’ia dalim të kthehemi me trofe nga Tivari. Presioni në takimin e parë ishte në anën tonë, kurse tani është në anën e tyre. Sidoqoftë ne do të luajmë lojën tonë dhe do të bëjmë më të mirën për ta mbrojtur titullin e fituar një vit më parë”.
Kampionët e deritashëm të BIBL-it:
2008/09 Rilski Sportist (Bullgari)
2009/10 Levski Sofia (Bullgari)
2010/11 Feni Industries (Maqedoni)
2011/12 Hapoel Gilboa Galil (Izrael)
2012/13 Levski Sofia (Bullgari)
2013/14 Sigal Prishtina (Kosovë)