Ndeshja e dytë finale e “play-off”-it të Superligës së Kosovës ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.
Verdhezinjtë të dielën mbrëma në ndeshjen e parë të luajtur në "Karagaçi" e kanë mposhtur ekipin nga kryeqyteti me rezultat 77:76 falë dy pikëve të shënuara në çastet e fundit të takimit nga Alban Veseli.
Ashtu si edhe në të gjitha ballafaqimet e deritanishme ndërmjet këtyre dy klubeve, ku gjithnjë fituesi është përcaktuar në çastet e fundit edhe kësaj radhe pritet të ndodh e njëjta gjë.
Gerti Shima, basketbollist i Sigal Prishtinës: “Ne treguam edhe në Pejë që kemi forcë për të përmbysur gjithçka. Të enjten luajmë në Prishtinë para tifozëve tanë dhe jemi edhe më të mobilizuar dhe besoj se do të zhvillojmë lojë të mirë. Nuk guxojmë të bëjmë hapa fals. Peja po tregon lojë të mirë, por ne jemi gati për këto sfida dhe besoj se do t’ia dalim me sukses. Vetë rezultati tregon që ne mundemi të fitojmë si atje, si këtu, por çdo gjë hap pas hapi. Duhet të tregojmë një lojë të mirë dhe pastaj të mendojmë për ndeshjet në vazhdim”.
Fisnik Rugova, basketbollist i Pejës: “Besoj se mund t’ia dalim në Prishtinë. Do të japim maksimumin që të shënojmë fitore edhe pse do të jetë shumë vështirë. Pikat tona të forta janë, loja ekipore, si në ndeshjen e parë dhe mbrojtja e fortë. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, ashtu si i ka hije finales, ndërsa ne do të aplikojmë lojën tonë dhe besoj se do të dalim të pamposhtur”.
Duhet theksuar se dy skuadrat janë në kërkim të titullit të kampionit. Pejanët e dëshirojnë titullin, pasi nuk arritën të fitojnë Kupën, dhe nuk u kualifikuan as në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike, derisa prishtinasit kërkojnë trofeun e tretë për këtë edicion pas Kupës dhe BIBL-it.
Skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione e Kosovës për edicionin 2015/16. Kampione në fuqi është Sigal Prishtina.