Sigal Prishtina ka shënuar fitore në derbin e xhiros së XXII në elitën e basketbollit kosovar duke e mposhtur Bashkimin nga Prizreni të shtunën mbrëma në kryeqytet me shifrat 95:85 (25:23, 24:21, 21:18, 25:23).
Në dy çerekët e parë u zhvillua një lojë e barabartë, dhe këtë e dëshmon më së miri rezultati pas 20 minutave të ndeshjes, 49:44, por ishte dhjetëminutëshi i tretë ai në të cilin bardhekaltrit luajtën më sigurt dhe filluan të shkëputeshin dalëngadalë në rezultat. Nikoqirët vazhduan me këtë ritëm edhe në çerekun e katërt, andaj edhe në fund triumfuan me 10 pikë epërsi.
Më i merituari për fitoren e Sigal Prishtinës ishte Drilon Hajrizi me 23 pikë, 6 kërcime e 4 asistime, kurse Fuquan Edwin kontribuoi me 15 pikë dhe Jabarie Hinds e Nenad Deliq shtuan nga 14 pikë secili. Ky i fundit pati edhe 8 kërcime e 6 aistime.
Në anën tjetër te Bashkimi më të dalluarit ishin Kayel Locke me 26 pikë e 6 kërcime dhe Justin Black me 25 pikë e 8 kërcime.
Në katër përballjet e deritashme ndërmjet këtyre dy skuadrave, Prishtina është ajo që udhëheq me 3 fitore e 1 humbje karshi Bashkimit, në ndeshjet e luajtura në Superligën e Kosovës, edicioni 2016/17.