Pas një pauze prej afro një muaji Sigal Prishtina i rikthehet garave në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Bardhekaltrit në tri javët e fundit kanë qenë të angazhuar dhe të përqendruar maksimalisht në garat e FIBA Europe Cup dhe kjo ka bërë që ata në BIBL, ku edhe janë kampionë në fuqi t’i luajnë vetëm dy ndeshje deri më tani. Prishtinasit i kanë regjistruar dy fitore nga po aq ndeshje të luajtura në BIBL duke e mposhtur Beroe-n në Bullgari dhe më pas në kryeqytet e kanë mundur Kozuv-in nga Maqedonia. Ndërkaq të enjten me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë janë nikoqirë të Mornar-it nga Mali i Zi. Edhe skuadra malazeze i ka luajtur dy ndeshje dhe ka shënuar po aq fitore. Mornar-i kryeson në Grupin A me 4 pikë aq sa kanë edhe Prishtina, Kozuv-i, kurse Beroe ka tubuar 3 sosh.
Gëzim Morina, basketbollist i Sigal Prishtinës: “Mornar-i është ekip të cilin nuk duhet ta nënçmojmë, pasi me ata ne e ndajmë vendin e parë në renditje. Është ndeshje e rëndësishme për ne, pasi që objektivi i vetëm në Ligën Ballkanike është ta mbrojmë titullin e fituar një edicion më parë. Edhe në këtë ndeshje shpresojmë në përkrahje sa më të madhe nga ana e 'Plisave’ dhe besoj se së bashku do ta regjistrojmë suksesin e radhës”.