Sigal Prishtina ka shënuar fitore në ndeshjen e parë gjysmëfinale të play-offit në IP Superligën e Kosovës në basketboll.
Bardhekaltrit kanë triumfuar kundër Golden Eagle Yllit të mërkurën mbrëma në kryeqytet me rezultat 84:76.
Kapiteni Edmond Azemi dhe Granit Rugova me nga 20 pikë të shënuara ishin më efikasit te skuadra kryeqytetase, tek e cila pikë dyshifrore patën edhe Alban Veseli (14) e Fisnik Rugova (14).
Në anën tjetër te Golden Eagle Ylli, Leonard Mekaj ishte më i dalluari me 23 pikë, derisa Michael Harmon ka shtuar 17 sosh.
Gjysmëfinalet e play-offit zhvillohen sipas formulës 1 vs 4, 2 vs 3. Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin 3 fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1dhe epërsinë e terrenit vendas e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt.
Në finale të play-offit takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve. Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore. Finalja e play-offit zhvillohet sipas formatit vajtje – ardhje. Përparësinë e terrenit vendas e ka skuadra që ka qenë më mirë e ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendas në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5.