Sigal Prishtina e ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në start të Grupit D në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Kampionët në fuqi të BIBL-it të mërkurën mbrëma e kanë mposhtur Kozuv-in në Gjevgjeli të Maqedonisë me rezultat 87:75, ndonëse gjatë pjesës së parë ishin në disavantazh prej 18 pikëve. Pas pushimit bardhekaltrit e kanë treguar një fytyrë krejt tjetër prej asaj të 20 minutave të para, duke luajtur mbrojtje të fortë dhe sulme shumë mirë të organizuara, andaj edhe përfundimin e patën të lumtur. Javën e ardhshme Prishtina është nikoqire e Levski 2014, kurse Kozuv-i udhëton në "Karagaçi" për t'u përballur me Pejën.
Në çerekun e parë rivaliteti ka ekzistuar vetëm deri në minutën e gjashtë dhe më pas Kozuv-i e mori lojën nën kontroll për ta përmbyllur këtë dhjetëminutësh me 25:16. Maqedonasit vazhduan të luajnë mirë edhe në çerekun e dytë duke e rritur avantazhin nga minuta në minutë, derisa pak çaste pa përfunduar pjesa e parë Kozuv-i regjistroi epërsi prej 18 pikëve. 20 minutat e parë u përmbyllën me rezultat 44:29 në të mirë të vendasve.
Prishtina e ka nisur pjesën e dytë furishëm duke realizuar seri prej 13:2 dhe duke e zvogëluar disavantazhin në 4 pikë brenda pesë minutave lojë. Nikoqirët janë kundërpërgjigjur shpejtë, por mysafirët ia dolën sërish të shënojnë për të marr së pari epërsinë në 1 pikë falë Mohamed Abukar-it, derisa pas 30 minutave lojë ata regjistruan epërsi prej 7 pikëve. Kozuv-i e zvogëloi sërish avantazhin, por Prishtina përgjigjet me seri 8:0 dhe këtu ishte çasti kur u përcaktua gjithçka sa i përket fituesit pasi bardhekaltrit vazhduan me ritëm të njëjtë për ta përmbyllur gjithë ndeshjen me 12 pikë dallim.
Dardan Berisha dhe Mohamed Abukar ishin më të merituarit për fitoren e Prishtinës me nga 20 pikë secili, derisa Jason Washburn ka kontribuar me 16 pikë e 16 kërcime. Te Kozuv-i më efikasit ishin Ryan White me 21 pikë dhe Vladimir Brckov me 13 pikë e 6 kërcime.
Kozuv - Sigal Prishtina 75:87 (25:16, 19:13, 12:34, 19:24)
Palestra e sportit në Gjevgjeli.
Shikues: rreth 1.000.
Gjyqtarë: M. Ciulin, G. Poursanidis, V. Velikov.
Kozuv: Radulloviq 5, Gjuroski 10, Brchkov 13, Glavchev 3, Neshoviq 8, White 21, Middleton Jr 3, Kolev, Todoroviq 8, Apostolov, Nacevski 4, Sterjov.
Sigal Prishtina: Washburn 16, Kemp 7, Berisha 20, Marinov 13, Abukar 20, Azemi, Peci, Jakupi, Warren 6, Mazreku, Sinani, Morina 5.