Më 1 dhe 2 mars skuadrat kosovare, Sigal Prishtina, Peja dhe Bashkimi nga Prizreni do t’i ndezin sërish motorët për sfidat e radhës në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Sigal Prishtina të martën me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet e pret Kozuv-in nga Gjevgjelia e Maqedonisë në kuadër të xhiros së katërt të Grupit D në BIBL. Bardhekaltrit në tri xhirot e para kanë bilanc pozitiv, pasi kanë triumfuar në të gjitha duelet, derisa në ndeshjen e parë të luajtur si mysafir ndaj Kozuv-it më 3 shkurt kanë shënuar fitore me shifrat 87:75. Në anën tjetër maqedonasit në tri xhirot e para kanë regjistruar bilanc prej 2 humbje e 1 fitore.
Peja të mërkurën është mysafire e Levski-t në Sofje të Bullgarisë në ndeshjen që do të luhet duke filluar nga ora 17:00 në kuadër të xhiros së katërt të Grupit D. Verdhezinjtë në tri xhirot e para kanë realizuar 2 humbje e 1 fitore, kurse bilanc të njëjtë kanë edhe bullgarët. Duhet theksuar se Kozuv-i, Peja dhe Levski janë që të tri këto ekipe që janë duke luftuar për një vend në gjysmëfinale të BIBL dhe me gjasa të barabarta për të vazhduar tutje njëra prej tyre. Në duelin e parë ndërmjet Pejës dhe Levski-t fitore patën shënuar bullgarët.
Bashkimi po të mërkurën në Tivat të Malit të Zi do të ballafaqohet me Teodo-n duke filluar nga ora 18:00 në ndeshjen që i takon xhiros së katërt të Grupit C. Në takimin e parë të zhvilluar në Prizren pati triumfuar Teodo, derisa kjo skuadër ka bilanc prej 3 fitore nga po aq ndeshje të luajtura deri më tani. Në anën tjetër Bashkimi ka bilanc negativ në Grupin C pasi nga 3 ndeshje ka po aq humbje dhe kështu i kanë mbetur pak gjasa për të shpresuar për ndonjë kualifikim të mundshëm në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike.